Gjermania miratoi paketen per shpetimin e euros
Albeu.com
Bundestagu miratoi me shumicën e krijuar nga votat e koalicionit kristiandemokrat dhe liberal kontributin gjerman në paketën evropiane të ndihmës prej 750 miliardë euro për të shpëtuar valutën e përbashkët.
Për garancitë gjermane në vlerë prej 148 miliardë eurosh u morën votat e 319 deputetëve. Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle e cilësoi vendimin si çështje ekzistenciale për Evropën. Më parë ministri i Financave, Wolfgang Schäuble, kishte bërë të qartë se paketa e ndihmës ishte e pashmangshme. Socialdemokratët dhe të gjelbrit ksihin paralajmëruar se do të abstenojnë, ndërsa e Majta votoi kundër. Kryetari i partisë socialdemokrate, Sigmar Gabriel kritikoi kancelaren gjermane, Merkel: "Që nga fillimi i vitit ju rendni pas realiteteve të tregjeve. Prej kohësh juve ju shtyjnë tregjet, partnerët evropianë, partneri juaj i zgjedhur, liberalët dhe së fundi ju shtyn fraksioni juaj."
Për shkak se hollësitë e paketës nuk ishin të njohura për të gjithë deputetët, socialdemokratët, E Majta dhe Të Gjelbrit kritikuan shpejtësinë, me të cilën u kërkua miratimi i këtij ligji. Kryetari i fraksionit të socialdemokratëve në parlamentin gjerman, Frank - ëalter Steinmeier, u shpreh më parë me tone kritike: "Nuk mund të ketë çek të bardhë për një qeveri, e cila nuk i ka përmbushur detyrimet e saj parlamentare në javët e fundit." Me qëllim stabilizimin e tregjeve financiare është ngritur në një procedurë shumë të shpejtë një paketë miliardëshe për vendet e eurozonës, që po japin shenja krize. Për këtë arsye ligjin përkatës duhet ta miratojë jo vetëm Bundestagu, por edhe Këshilli i Landeve. Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble, udhëton këtë të premte (21.05.) pasdite në Bruksel, ku do të takohet me grupin e punës të ministrave pranë Presidentit të Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy, për të diskutuar forcimin e kritereve të paktit të stabilitetit. (dw)
Shtuar më 21/05/2010, ora 15:05
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori