Gjermania dhe Franca kërkojnë një traktat të ri miqësie
Parlamentet gjermane dhe franceze respektivisht Bundestagu dhe Asambleja Kombëtare, duan të hartojnë një rezolutë të përbashkët për të kërkuar një traktat të ri miqësie franko-gjerman, njoftuan sot parlamentarët gjermanë.

”Më 22 janar, 55-vjetori i Traktatit të parë të Elizesë, dy parlamentet do të zhvillojnë një seancë të posaçme për të rikonfirmuar dhe ndërtuar më tej miqësinë midis dy vendeve”, sipas deputetëve të partive kryesore gjermane CDU, SPD, FDP dhe të Gjelbërve.

Traktati Elize’ i vitit 1963 u përfundua nga kancelari gjerman i atëhershëm, Konrad Adenauer dhe presidenti francez, Charles de Gaulle.

18 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, traktati i nënshkruar në pallatin presidencial Elize’ hodhi themelet për miqësinë dhe pajtimin franko-gjerman, një gur themeli kryesor i pasluftës në Evropën Perëndimore.

Gjatë një fjalimi në Sorbonne, pas zgjedhjeve kombëtare të Gjermanisë shtatorin e kaluar, presidenti francez Emmanuel Macron kërkoi zbatimin e reformave të Bashkimit Evropian dhe propozoi një përditësim të Traktatit Elize’.

Fillimisht, ai kishte shpresuar se traktati i ri do të ishte gati për t’u nënshkruar në janar, por kjo nuk u arrit pasi qeveria e re në Gjermani nuk ka dalë ende nga zgjedhjet parlamentare. /albeu.com/
Shtuar më 05/01/2018, ora 16:28

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori