“Do reduktojë trafikun e rënduar”, hapet në mënyrë provizore aksi Palasë – Dhërmi

Zëvendëskryeministrja dhe ministja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belina Balluku ka inspektuar punimet në rrugën Palasë-Dhërmi, e cila është hapur në mënyrë provizore për qarkulli min e mjeteve.

Balluku tha se rruga është hapur në mënyrë provizore javët e fundit të sezonit, për pushuesit që vizitojnë zonën dhe do të ndihmojë në reduktimin e trafikut.

Rruga do të lidhet gjithashtu me daljen e tunelit të Llogaras.

“Aksin Palasë-Dhërmi kemi vendosur ta hapim në mënyrë provizore këto javë të fundit, për pushuesit.

Rruga është pjesë e infrastrukturës së zonës. Do të ndihmojë që mos të kemi më atë trafik të rënduar që kemi pasur deri tani në rrugën nga Palasa deri në Dhërmi. Të gjitha ata që do aksesojnë zonën e Dhërmiut do përdorin këtë rrugë. Kjo rrugë parashikohet të lidhet me daljen e tunelit të Llogarasë. Fakti që kjo rrrugë do lidhet me daljen e tunelit e bën akoma më të rëndësishme.

Është një rrugë që ka akoma punë për të bërë. Kemi kërkuar edhe vëmendjen e policisë rrugore siç bëjmë për rrugët e reja ose rrugët që vazhdojnë të jenë në proces ndërtimi.

Kjo është një rrugë që nuk shërben thjesht për lëvizje të automjeteve, por do ketë vëmendje edhe për këmbësorët, duke nisur nga trutuaret, por edhe korsia e biçikletave dhe një pistë vrapimi”, tha Balluku.