Ferri mbi tokë, por pastaj….! Çdo të ndodhë nëse Putin sulmon Ukrainën me armë bërthamore?

Nga Peter Weber “The Week

Presidenti rus, Vladimir Putin, përmendi javën e kaluar mundësinë e një sulmi bërthamor ndaj Ukrainës, gjatë fjalimit kur shpalli qëllimin e tij për të aneksuar disa zona të Ukrainës Lindore dhe Jugore, me një sipërfaqe të përafërt me atë të Portugalisë.

Që nga ai moment, Ukraina ka vazhduar të sprapsë trupat ruse në ato zona, që tani Moska pretendon se i ka aneksuar zyrtarisht, edhe pse në mënyrë të paligjshme. Këto pengesa poshtëruese në luftën e Putinit, të kombinuara me një mobilizim ushtarak të dështuar dhe tejet anti-popullor, kanë nxitur shumë pakënaqësi tek shoqëria ruse, por edhe debate të forta në televizionet ruse të kontrolluar nga shteti. Po çfarë do të ndodhte nëse Rusia përdor vërtet armët bërthamore në Ukrainë?

Çfarë lloj arme bërthamore mund të përdorë Putin?

Putin ka shumë opsione në dispozicion. Besohet se Rusia ka 2000 armë të tilla. Për muaj të tërë, simulimet kompjuterike nga Pentagoni, laboratorët bërthamorë amerikanë dhe agjencitë e inteligjencës janë përpjekur të parashikojnë se çfarë mund të ndodhë dhe si mund të reagojnë Shtetet e Bashkuara, nëse Putin e godet Ukrainën me armë bërthamore.

Por kjo nuk është aspak e lehtë duke pasur parasysh përmasat dhe varietetet e arsenalit të Rusisë. Sipas New York Times, shumica e armëve taktike të Rusisë kanë “një pjesë të vogël të fuqisë shkatërruese të bombave që hodhi SHBA-janë Hiroshima dhe Nagasaki në vitin 1945”

Por arma që i shqetëson më shumë evropianët është bomba që mund të ngarkohet në majën e një rakete Iskander-M, dhe që mund të arrijë të godasë qytetet në Evropën Perëndimore.

Të dhënat ruse tregojnë se edhe shpërthimi më i vogël bërthamor nga një raketë e tillë, është afërsisht një 1/3 fuqisë shpërthyese të bombës në Hiroshima.

Po ashtu Moska mund ta lëshojë një armë bërthamore të kalibrit më të vogël, nëpërmjet një predhe artilerie të kalibrit 155 mm. Objektivat e saj mund të variojnë nga një bazë ushtarake ukrainase tek një numër trupash të grupuara në një qytet të vogël. Sigurisht, edhe një shpërthim i vogël bërthamor do të ishte shkatërrues për çdo zonë të prekur.

A do ta anonte një sulm i tillë peshoren e luftës në favor të Rusisë?

Instituti për Studimin e Luftës (ISW) mendon se përdorimi i armëve nukleare taktike do të ishte një lojë e madhe për përfitime shumë të kufizuara, të cilat nuk do të arrinin qëllimet e deklaruara të luftës të Putinit.

“Në rastin më të mirë, përdorimi i armëve bërthamore do të ngrinte linjat e frontit në pozicionet e tyre aktuale, dhe do t’i jepte mundësi Kremlinit të ruante territorin që ka pushtuar aktualisht në Ukrainë. Por edhe për këto përfitime të kufizuara, Putinit ka të ngjarë t’i duhet të përdorë armë të shumta taktike bërthamore. Dhe kjo do të rriste rreziqet e hakmarrjes perëndimore dhe kostot që Rusia do t’i vuante në mënyrë të pashmangshme”- shkruan ky institut në një analizë të ditëve të fundit.

Ndërkohë gjenerali amerikan në pension Wesley Clark, ish-komandanti suprem i aleatëve të forcave të NATO-s në Evropë, ka deklaruar për CNN se është e vështirë të përdoren me efektivitet armët taktike bërthamore në fushën e betejës, sidomos kundër një force ukrainase të lëvizshme.

“Ne e kemi provuar disa herë stërvitje për vite me radhë në ushtrinë e Shteteve të Bashkuara gjatë Luftës së Ftohtë, dhe zbuluam se është problem shumë më i vështirë nga duket në letër. Edhe me disa 10 bomba luftarake 10 kilotonëshe, zona e shkatërrimit është relativisht e vogël, gjasat për të humbur janë relativisht të larta, dhe më shumë krijoni një rrëmujë”- tha ai.

Ndërkohë Rusia mund të hedhë disa bomba taktike, në një lloj sulmi terrorist bërthamor kundër një ose më shumë qyteteve kryesore të Ukrainës apo infrastrukturës jetike, me shpresën për ta detyruar Kievin të dorëzohet apo Perëndimin të ndërpresë ndihmën ndaj Ukrainës.

Por sipas ISË tashmë është shumë e qartë se “sulme të tilla nuk do të kishin shumë gjasa të detyronin Ukrainën ose Perëndimin që të dorëzoheshin”, dhe do të ishin një “bast i jashtëzakonshëm, i një lloji që historikisht Putin ka refuzuar të vendosë”.

Çfarë lloj pasojash do të kishte shpërthimi i një bombe bërthamore me rendiment të vogël?

Kjo gjë do të varet nga disa faktorë, përfshirë madhësinë e armës dhe drejtimin e erës. Gjithsesi edhe një shpërthim i vogël bërthamor, mund të shkaktojë mijëra të vdekur, dhe ta bëjë një bazë apo një zonë në qendër të qytetit të pabanueshme për vite me radhë. Për këtë skenar ka vetëm një krahasim dramatik, dhe ai ka të bëjë me shpërthimin e reaktorit bërthamor të Çernobilit në vitin 1986.

Nëse erërat fryjnë nga lindja, rrezatimi i lëshuar nga armët ruse mund të përhapet lehtësisht në territorin rus. “E vërteta është se nuk mund të parashikojmë me siguri pasojat fizike të një sulmi të tillë”- shkruan Edward Geist, studiues i politikave në Korporatën RAND. Kjo pasi modelet që kemi aktualisht bazohen në të dhëna të kufizuara nga testet e armëve bërthamore të epokës së Luftës së Ftohtë.

Cilat do të jenë pasojat gjeopolitike?

NYT raporton se nëse Putini përdor armë bërthamore në Ukrainë, Rusia mund të shndërrohet në një shtet të përbuzur në arenën ndërkombëtare. Perëndimi do të përpiqet të përfitojë nga situata për të bërë pjesë të sanksioneve edhe Kinën, Indinë, dhe të tjerët që blejnë ende naftën dhe gazin rus. Kina dhe India kanë sinjalizuar tashmë publikisht shqetësimin e tyre ndaj luftës së Putinit në Ukrainë. Dhe nëse ato dhe vendet e tjera të mëdha të mëdha neutrale e ndalojnë blerjen e naftës ruse, ekonomia ruse do të shkatërrohet.

Si do të kundërpërgjigjeshin SHBA dhe Evropa?

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, ka deklaruar publikisht se administrata Biden ia ka bërë të qartë Rusisë, se do të përballet me pasoja katastrofike të papërcaktuara nëse përdor armët bërthamore në Ukrainë. Kjo përgjigje nuk do të përfshijë armët bërthamore, tha gjenerali në pension David Petraeus për televizionin amerikan ABC. Sipas tij SHBA dhe NATO, do të godisnin çdo forcë konvencionale ruse në fushën e betejës në Ukrainë por edhe në Krime dhe çdo anije ruse në Detin e Zi.