Gafa e Presidentit Bush: Mbretëresha qindravjeçare
Albeu.com
Vizita shtetërore e Mbretëreshës në SHBA arriti kulmin me darkën gala të zhvilluar nga Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, në Shtëpinë e Bardhë, me trumbeta, himne kombëtare, një përshëndetje me 21 të shtëna armësh, por edhe me një tjetër gafë të Presidentit, çka druhej se do të ndodhte që kohë më parë.Pas 55 vjetësh në fron, e pasi është takuar me Presidentë amerikanë që shkojnë pas në vite që në epokën e Duajt Ajzenhauerit, monarkja 81-vjeçare, sipas të gjitha standardeve, është një nga figurat më të qëndrueshme të skenës ndërkombëtare. Por, sigurisht, ajo nuk ka qenë vërdallë nëpër SHBA 231 vjet më parë, ashtu siç gabimisht u shpreh Presidenti Bush. "Amerikanët janë krenarë të presin madhërinë tuaj, sërish në Shtetet e Bashkuara, në një komb që ju e njihni shumë mirë", tha ai para 7 mijë personave. "Ju jeni takuar me plot 10 presidentë amerikanë. Ju keni ndihmuar vendin tonë të festojë dyqindvjetorin në 1776-ën, më falni, në 1976-ën", tha ai. Sigurisht, ishte viti 1776, kur përfaqësues të 13 kolonive të para amerikane, lëshuan deklaratën e pavarësisë nga Britania e paraardhësit të largët të Elisabetës, Xhorxhit II. Vetëm dy shekuj më vonë, monarkja aktuale ia ka dalë të udhëtojë në SHBA dhe të marrë pjesë në festimet e dyqindvjetorit. E ndërsa Elisabeta e kapi fluturimthi gabimin e tij, "mbreti" aktual i Amerikës, Xhorxhi, e pa atë me sy të turpëruar. A ishte argëtuar ajo nga ky ngatërrim apo jo, kjo ishte e vështirë të kuptohej. Por, Bushi e shpëtoi veten duke bërë një deklaratë keqardhjeje: "Më dha një shikim nga ai që vetëm një nënë mund t‘ia japë fëmijës së saj", tha ai, duke u pasuar nga të qeshura. Por, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një histori të gjatë gafash me mbretërorët britanikë e kjo e tanishmja ishte veçse diçka e vogël. Gjatë vizitës së fundit të Mbretëreshës në SHBA, në 1991-shin, departamenti i protokollit në Shtëpinë e Bardhë kishte ofruar një podium aq të lartë, saqë njerëzit para ekraneve televizive kishin mundur të shikonin vetëm kapelën e saj, teksa sovrania mbante një fjalim goxha të gjatë. Gjithsesi, këtë radhë Bushi bëri një gjest që do të korrigjonte çdo fyerje sado të vogël, duke iu referuar Mbretëreshës si "një lidere e madhe" dhe duke lëvduar "marrëdhënien e veçantë" mes Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara. Pas një ceremonie mirëseardhjeje, Bushi dhe bashkëshortja e tij dhanë një darkë private për miqtë, para se të shoqëronin Mbretëreshën dhe princin Filip në Pensilvania Avenue, në Shtëpinë e Blerit, ku çifti mbretëror ka kaluar natën. Gjatë darkës, Bushi, i njohur për stilin e tij teksan të argëtimit, mori pjesë në darkën e parë me frak gjatë presidencës së tij, i shoqëruar me një performancë me violinë nga virtuozi Itzhak Perlman. "U lodhëm shumë, por më në fund e bindëm", ka rrëfyer zonja Bush mbi përpjekjet e saj dhe të sekretares së Shtetit, Kondoleca Rajs, për ta bindur Presidentin t‘i përshtatej okazionit. Pavarësisht nga rrjedha e ngjarjeve, vizita e Mbretëreshës po sjell edhe një lloj freskie dhe frymëmarrjeje për Presidentin Bush, të lodhur nga lajmet e këqija, që çdo ditë vijnë nga Iraku, të lodhur edhe nga betejat thuajse të përditshme me kongresin e kontrolluar nga demokratët dhe me një mbështetje prej 28 për qindësh të opinionit publik, më e ulëta për çdo President tjetër në 30 vitet e fundit.



Shtëpia e Bardhë i kishte evituar këtë radhë gafat e bëra gjatë vizitës së fundit të sovranes britanike, në 1991-shin, kur kishin vendosur një podium aq të lartë, saqë mbetej e dukshme vetëm kapelja e Mbretëreshës


Sovranja britanike duket se nuk e ka pritur mirë gabimin e Presidentit amerikan; vizita e fundit e Elisabetës në SHBA ka ndodhur vërtet shumë vjet më parë, por sigurisht, jo në fund të viteve 1700


Zonja e Parë, Laura Bush, ka pohuar se ka kaluar jo pak kohë duke u përpjekur ta bindë të shoqin të veshë frak, çka përbën formalitetin më të lartë të parashikuar në protokolle: një ritual që teksani Xhorxh Bush e ka evituar gjithnjë



Në okazionin e kësaj vizite, Shtëpia e Bardhë ka shpluhurosur serviset më delikate, argjendaritë më të rafinuara dhe kristalinat më të çmuara, ndërsa muzika i është besuar violinistit virtuoz, Itzhak Perlman. G. Shqip
Shtuar më 09/05/2007, ora 11:13
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori