Gaddafi sulmon me tanke dhe autoblinda
Forcat e liderit libian Moamer Gadafi me armë artilerike, tanke dhe automobila të blinduara kryejnë sulme mbi lagjet në qytetin perëndimor Zauija, në kuadër të operacionit kundër kryengritësve, njoftuan një pjesë e mediave arabe.

"Jemi dëshmitarë të luftërave dhe vrasjeve, çfarë kemi parë në Irak. Vlerësojmë se ky është gjenocid i vërtetë", deklaroi një dëshmitar për televizionin Al Arabia.

Më shumë se 15 automjete të blinduara ushtarake dhe tanke kanë hyrë në qytet para dy orëve, ndërsa të shtëna të ashpra, sipas dëshmitarëve, dëgjohen në të gjitha rajonet.

Al Xhazira gjithashtu njofton për përleshje të ashpra në qytet, si dhe për atë se tanket kryejnë sulme nëpër shtëpi.

Disa zjarre shpërthyen në Zauija, që ndodhet në rreth 60 kilometra nga kryeqyteti libian, Tripoli.

Ndërkohë, Zvicra i përforcoi sanksionet financiare kundër regjimit të Gadafit.

Zvicra paraprakisht në shkurt i ka ngrirë llogaritë në bankat zvicerane të 29 personave nga regjimi i liderit libian, mes të cilëve edhe ai vet. Berni tani u ka ndaluar atyre personave transaksione të ndryshme financiare.

Autoritetet zvicerane theksuan se kompanitë dhe firmat shtetërore libiane, të kontrolluara drejtpërdrejtë apo indirekt nga shteti libian, nuk janë të prekura me këto masa, nëse ato nuk gjenden në listën e Komisionit për sanksione të Kombeve të Bashkuara.

Sipas të dhënave prej vitit 2009, në bankat zvicerane ka gjithsej 640,3 milionë euro mjete shtetërore libiane.
Shtuar më 05/03/2011, ora 12:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori