G20, udhëheqësit të ndarë për Sirinë
Udhëheqësit botërorë të mbledhur në Rusi për ditën e fundit të takimit të nivelit të lartë të G20 vazhduan të jenë të ndarë mbi mundësinë e një sulmi ushtarak amerikan në Siri.

Diplomatët thanë se gjatë një darke të shtruar mbrëmë nga presidenti rus Vladimir Putin nuk u arrit të zgjidheshin mosmarrëveshjet për t’i dhënë fund konfliktit në Siri.

Presidenti amerikan Barack Obama po përpiqet të fitojë mbështetje ndërkombëtare për veprime ushtarake që do të ndërshkonin qeverinë siriane për përdorimin e dyshuar të armëve kimike muajin e kaluar, Zëri i Amerikës.

Zoti Obama u takua sot me presidentin kinez Xi Jinping, i cili i kundërshton sulmet. Kina së bashku me aleaten e Sirisë, Rusinë, i kanë vënë veton rezolutave të Këshillit të Sigurimit që do të bënin trysni mbi qeverinë e presidentit Bashar al-Assad.

Rusia thotë se nuk ka prova se zoti Assad ka kryer sulmin kimik në rrethinat e Damaskut në muajin gusht, ku gjetën vdekjen qindra njerëz.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, paralajmëroi sot udhëheqësit botërorë që të mos ndërmarrin sulme ushtarake “të papeshuara” të cilat, tha ai, mund të përkeqësojnë tensionet sektare në Siri.
Shtuar më 06/09/2013, ora 15:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori