Futet në burg ish-presidenti i Pakistanit, njihej si 10%
Ish-presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, është arrestuar sot në Islamabad për një rast të pastrimit të parave.

Arrestimi i tij erdhi pasi një gjykatë e refuzoi zgjatjen e afatit për mbrojtje në liri të ish-presidentit dhe motrës së tij. Ata akuzohen për fshehje të ryshfetit në llogari të rreme bankare.

Zardari edhe më parë ka qenë në burg për shkak të akuzave për korrupsion, ndërsa ka shërbyer si president i Pakistanit nga viti 2008 deri në vitin 2013. Ai ishte zgjedhur në këtë pozitë pas vrasjes së gruas së tij, ish-kryeministres Benazir Bhutto.

Sipas korrespondentit të BBC-së në Pakistan, Zardari është vlerësuar për një kohë të gjatë si një ndër figurat më kundërthënëse në Pakistan.

Ai ka qenë në burg në vitet e nëntëdhjeta dhe të dymijëta dhe njihet edhe me nofkën “zotëri 10 për qindëshi” për shkak të dyshimeve se këtë përqindje e ka kërkuar për nënshkrimin e kontratave qeveritare.
Shtuar më 10/06/2019, ora 16:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori