Fushata, Obama- Romney përballen në debat televiziv
Ashtu sikurse pritej debati i parë presidencial është pritur me interes të madh në SHBA. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama hapi debatin me rivalin e tij repulikan Mitt Romney duke thënë se ekonomia e rënduar amerikane që ai trashëgoi katër vjet më parë po rimëkëmbet.

"Megjithatë mbetet shumë punë për t'u bërë",-tha ai, duke shtuar se investimet në arsim dhe trajnim, si dhe shkurtimi i taksave janë rruga më e mirë që duhet ndjekur. Ai u përqendrua kryesisht në ekonominë amerikane, kujdesin shëndetësor dhe rolin e qeverisë në jetën e përditshme të amerikanëve.


I pyetur për krijimin e vendeve të reja të punës, ish-guvernatori i Masaçusets, Mitt Romney tha se vendi duhet të ndjekë një rrugë të ndryshme nga e kaluara. Ai tha se planet e tij përfshijnë shtimin e prodhimit energjetik, hapjen e më shumë tregjeve ndërkombëtare, krijimin e më shumë programeve të trajnimit për punë, balancimi i buxhetit dhe mbështetja e zhvillmit të biznesit të vogël. Nga ana e tij, Presidenti Obama tha se do që të ulë taksat për korporatat dhe të stimulojë ruajtjen e vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara në vend të transferimit të tyre jashtë. Ai u shpreh se ishte dakord me Romneyn për nevojën e shtimit të prodhimit energjetik, por tha se duhen shqyrtuar edhe variantet e energjisë së erës, diellit dhe biokarbureve.

Sipas Obamës, shkurtimet e tij të taksave për shtresën e mesme të amerikanëve u kanë lënë atyre më shumë para në dispozicion. Plani i zotit Romney për të shkurtuar taksat me 5 trilionë dollarë do të realizohej duke kufizuar shkurtimet e taksave për zëra të caktuar.

Presidenti tha se kjo nuk do ta ulte defiçitin dhe përsëri do të rëndonte mbi shtresën e mesme, por Romney kundërshtoi duke thënë se se nuk do të shkurtonte taksat për amerikanët me të ardhura të larta, por do të shkurtonte taksat për amerikanët me të ardhura mesatare. Ai tha se synon të ulë nivelin e taksimit, ndërkohë që do të ulte edhe shkurtimet në disa zëra taksash, kështu që qeveria të kishte fondet që i duhen.

Debati i mbrëmshëm në Universitetin e Colorados është i parë ndër tri debaret që janë caktuar deri ditën e zgjedhjeve. /albeu.com/
Shtuar më 04/10/2012, ora 09:12

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori