Brazili nën ”kthetrat” e koronavirusit, shkon mbi 12 mijë numri i viktimave

Brazili ka shënuar mbi 880 viktima brenda ditës nga koronavirusi i ri. Presidenti i vendit vazhdon t’i nënvlerësojë pasojat e sëmundjes, duke e quajtur atë një lloj gripi. Vendet e tjera latine por edhe Meksika raportojnë bilance të rënduara të pandemisë.

Brazili është kthyer në epiqendrën e pandemisë në Amerikën Latine, më një bilanc viktimash që po rivalizon shtetet më të goditura të botës.

Autoritetet raportuan se 881 persona nuk i mbijetuan dot komplikacioneve nga koronavirusi, duke e çuar mbi 12 mijë totalin e jetëve të humbura e duke u bërë të martën i dyti shtet në botë pas SHBA-së me një bilanc kaq tragjik në 24 orët e fundit.

Numri i të infektuarve ka shkuar në 180 mijë, çka e rendit Brazilin ndër të parët në hartën globale.

Ekspertët thonë se duke pasur parasysh popullsinë mbi 200 milionë banorë, numri i bartësve të koronavirusit duhet të shumëfishohet në javët që vijnë.

Ndërsa infeksioni përhapet dhe rajonet e Brazilit mbajnë në fuqi masat kufizuese, presidenti i vendit, Zhair Bolsonaro, vijon ta kritikojë si të tepruar reagimin e autoriteteve, duke lëshuar këtë javë edhe një dekret që i klasifikon palestrat dhe sallonet e bukurisë, shërbime thelbësorë për qytetarët.

Prej shfaqjes së pandemisë, kreu i shtetit këmbëngul se dëmi ekonomik që sjell mbyllja e bizneseve është më keq sesa vetë koronavirusi, që ai e quan një lloj i vogël gripi.


Shtuar 13.05.2020 12:23