Spanja legalizon eutanazinë dhe vetëvrasjen e asistuar

Spanja është vendi i pestë në Europë që legalizon vetëvrasjen e asistuar* dhe eutanazinë* për pacientët që vuajnë shumë nga sëmundjet e pashërueshme dhe njerëzit me kushte të përhershme të padurueshme.

Eutanazia: Një mjek lejohet me ligj që t’i japë fund jetës së një personi me një mënyrë pa dhimbje, për sa kohë që pacienti dhe familja e tyre bien dakord.

Vetëvrasje e asistuar: Një mjek ndihmon një pacient të bëjë vetëvrasje, si pasojë e kushteve të padurueshme mjekësore, nëse ata e kërkojnë atë.

Dhoma e ulët e parlamentit spanjoll votoi 202-140 me dy abstenime mbi miratimin përfundimtar të projekt-ligjit të eutanazisë. Deputetët nga koalicioni qeverisës i krahut të majtë të Spanjës dhe partitë e tjera e mbështetën atë, ndërsa ligjvënësit konservatorë dhe ekstremë të djathtë votuan kundër legjislacionit, duke u zotuar ta përmbysin në të ardhmen.

“Sot ne jemi një vend më njerëzor, më i drejtë dhe më i lirë. Faleminderit të gjithë atyre që luftuan pa u lodhur për njohjen e së drejtës për të vdekur me dinjitet në Spanjë,? –  shkroi të enjten kryeministri Pedro Sanchez.

Kisha Katolike Spanjolle ka dënuar me forcë reformën, duke krahasuar eutanazinë me “një formë vrasjeje”. Rreth njëqind njerëz protestuan kundër legjislacionit jashtë Parlamentit.

Kushtet për eutanazinë dhe vetëvrasjen e asistuar janë të rrepta. Personi duhet të jetë “i aftë dhe i vetëdijshëm” kur bën kërkesën, e cila duhet të formulohet “pa presion të jashtëm” dhe të rinovohet pesëmbëdhjetë ditë më vonë. Mjekët mund të refuzojnë kërkesën nëse gjykojnë se kriteret nuk janë përmbushur. Për më tepër, vendimi duhet të miratohet nga një mjek tjetër dhe të marrë dritën jeshile nga një komision vlerësues.

Eutanazia është e ligjshme në Belgjikë, Kanada, Kolumbi, Luksemburg, Hollandë dhe Zvicër. Në disa shtete të SHBA-së, lejohet vetëvrasja e asistuar nga ana mjekësore – kur pacientët vetë-administrojnë ilaçe vdekjeprurëse nën mbikëqyrje mjekësore.

NJË PROTESTUES NGA GRUPI “DERECHO A VIVIR” QËNDRON ME TALLJE NË NJË ARKIVOL JASHTË PARLAMENTIT SPANJOLL NË MADRID, 11 SHKURT.


Shtuar 19.03.2021 12:06