U përmendën nga Putin, kush është grupi “Azov”, regjimenti ushtarak i Ukrainës

Një regjiment ushtarak ukrainas i ekstremit të djathtë është rikthyer në titujt kryesorë të mediave. Në media u fol shumë për një grup me prirje naziste, i cili ishte pjesë e fjalimit të presidenti rus Vladimir Putin. Lideri rus iu referua ekzistencësë së njësive të tilla brenda ushtrisë ukrainase si një nga arsyet për nisjen e të ashtuquajturit “operacion special ushtarak … për të çmilitarizuar dhe denazifikuar Ukrainën”.

‘Al Jazeea’ raporton se garda kombëtare e Ukrainës postoi një video që tregonte luftëtarët Azov teksa lyenin plumbat e tyre me dhjamë derri për t’u përdorur gjoja kundër çeçenëve myslimanë ( aleatë të Rusisë ). Azov ka qenë gjithashtu i përfshirë në trajnimin e civilëve përmes stërvitjeve ushtarake në prag të pushtimit të Rusisë.

Çfarë është regjimenti Azov?

Azov është një njësi ushtarake këmbësorie e përbërë nga vullnetarë të ekstremit të djathtë, anëtarët e së cilës janë rreth 900 vetë. Janë ultra-nacionalistë, të akuzuar se frymëzohen nga ideologji neo-naziste dhe ajo e supremacisë së bardhë. Njësia u formua fillimisht si një grup vullnetar në maj 2014 nga banda ultra-nacionaliste Patriotët e Ukrainës dhe grupi neo-nazist i Asamblesë Kombëtare Sociale (SNA). Të dy grupet u bashkuan në idealet ksenofobike dhe neonaziste dhe sulmuan fizikisht emigrantët, komunitetin rom dhe njerëzit që kundërshtonin pikëpamjet e tyre.

Grupi luftoi në vijën e parë të frontit kundër separatistëve pro-rusë në Donetsk, në rajonin lindor të Ukrainës. Pak para nisjes së pushtimit, Putin njohu pavarësinë e dy rajoneve të kontrolluara nga rebelët nga Donbasi. Disa muaj pas rimarrjes së qytetit-port strategjik të Mariupolit nga separatistët e mbështetur nga Rusia, njësia u integrua zyrtarisht në Gardën Kombëtare të Ukrainës më 12 nëntor 2014 dhe mori vlerësime të larta nga presidenti i atëhershëm Petro Poroshenko.

“Këta janë luftëtarët tanë më të mirë,” tha ai në një ceremoni çmimesh në 2014.

Kush e themeloi Azov?

Njësia drejtohej nga Andriy Biletsky, i cili shërbeu si udhëheqës i Patriotit të Ukrainës (i themeluar në 2005) dhe SNA (i themeluar në 2008). SNA dihet se ka kryer sulme ndaj grupeve minoritare në Ukrainë. Në vitin 2010, Biletsky tha se qëllimi kombëtar i Ukrainës ishte “të udhëhiqte racat e bardha të botës në një kryqëzatë përfundimtare … kundër Untermenschen [racave inferiore] të udhëhequra nga semitët”. Biletsky u zgjodh në parlament në vitin 2014. Ai u largua nga Azov pasi zyrtarët e zgjedhur nuk mund të jenë në forcën ushtarake apo policore. Ai qëndroi deputet deri në vitin 2019.

Kush e financoi Azov?

Njësia mori mbështetje nga ministri i brendshëm i Ukrainës në vitin 2014, pasi qeveria e kishte pranuar se ushtria e saj ishte shumë e dobët për të luftuar separatistët pro-rusë dhe mbështetej në forcat vullnetare paraushtarake. Këto forca financoheshin privatisht nga oligarkët – më i njohuri ishte Igor Kolomoisky, një miliarder magnat në energjetikë dhe guvernator i atëhershëm i rajonit Dnipropetrovska. Përveç Azov, Kolomoisky financoi batalione të tjera vullnetare si njësitë Dnipro 1 dhe Dnipro 2, Aidar dhe Donbas. Azov mori fonde dhe ndihmë të hershme nga një tjetër oligark: Serhiy Taruta, guvernatori miliarder i rajonit Donetsk.

Ideologjia neo-naziste

Në vitin 2015, Andriy Diachenko, zëdhënësi i regjimentit në atë kohë tha se 10 deri në 20 për qind e rekrutëve të Azov ishin nazistë. Njësia ka mohuar se i përmbahet ideologjisë naziste në tërësi, por simbolet naziste si svastika dhe regalia SS janë të përhapura në uniformat dhe trupat e anëtarëve të Azov. Uniforma mban simbolin neo-nazist Wolfsangel, i cili i ngjan një svastika të zezë në një sfond të verdhë. Grupi tha se ishte thjesht një përzierje e shkronjave “N” dhe “I” që përfaqësojnë “idenë kombëtare”.

Anëtarët individualë kanë deklaruar se janë neo-nazistë dhe ultra-nacionalizmi i ekstremit të djathtë është i përhapur mes anëtarëve. Në janar 2018, Azov krijoi njësinë e saj të patrullimit në rrugë të quajtur National Druzhyna për të “rivendosur” rendin në kryeqytet, Kiev. Njësia kreu një masakër kundër komunitetit rom dhe sulmoi anëtarët e komunitetit LGBTQ.

“Ukraina është kombi i vetëm në botë që ka një formacion neonazist në forcat e saj të armatosura”, shkroi një korrespondent i revistës me bazë në SHBA, Nation, në vitin 2019.

Shkeljet e të drejtave të njeriut dhe krimet e luftës

Një raport i vitit 2016 nga Zyra e Kombeve të Bashkuara të Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut (OCHA) ka akuzuar regjimentin Azov për shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar. Raporti detajonte incidentet gjatë një periudhe nga nëntori 2015-shkurt 2016, ku Azov kishte futur armët dhe forcat e tij në ndërtesat e përdorura civile dhe kishte zhvendosur banorët pas plaçkitjes së pronave civile. Raporti akuzoi gjithashtu batalionin për përdhunimin dhe torturimin e të burgosurve në rajonin e Donbas.

Cili ka qenë reagimi ndërkombëtar ndaj Azov?

Në qershor 2015, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara njoftuan se forcat e tyre nuk do të mbështesin ose trajnojnë regjimentin Azov, duke përmendur lidhjet e tij neo-naziste. Megjithatë, vitin e ardhshëm, SHBA e hoqi ndalimin nën presionin e Pentagonit. Në tetor 2019, 40 anëtarë të Kongresit Amerikan të udhëhequr nga Përfaqësuesi Max Rose nënshkruan një letër pa sukses duke i bërë thirrje Departamentit të Shtetit të SHBA-së që të caktojë Azov si një “organizatë të huaj terroriste” (FTO). Prillin e kaluar, Përfaqësuesja Elissa Slotkin përsëriti kërkesën – e cila përfshinte grupe të tjera supremaciste të bardhë, drejtuar administratës Biden.

Mbështetja transnacionale për Azov ka qenë e gjerë dhe Ukraina është shfaqur si një qendër e re për të djathtën ekstreme në mbarë botën. Burra nga tre kontinente janë dokumentuar të bashkohen me njësitë e trajnimit Azov në mënyrë që të kërkojnë përvojë luftarake dhe të përfshihen në ideologji të ngjashme.

Lëkundjet e Facebook-ut

Në vitin 2016, Facebook për herë të parë e caktoi regjimentin Azov një “organizatë të rrezikshme”. Sipas politikës së kompanisë për individët dhe organizatat e rrezikshme, Azov u ndalua nga platformat e tij në vitin 2019. Grupi u vendos nën përcaktimin e nivelit 1 të Facebook, i cili përfshin grupe të tilla si Ku Klux Klan dhe ISIL (ISIS). Përdoruesit që angazhohen në lëvdata, mbështetje ose përfaqësim të grupeve të nivelit 1 janë gjithashtu të ndaluar. Megjithatë, më 24 shkurt, ditën kur Rusia nisi pushtimin e saj, Facebook e anuloi ndalimin e saj, duke thënë se do të lejonte lëvdata për Azov.


Shtuar 2.03.2022 11:02