Franca e Izraeli homazhe për disa nga të vrarët në sulmet në Paris
Në Francë dhe Izrael janë zhvilluar paralelisht ditën e sotme homazhet për disa prej të vrarëve gjatë sulmeve terroriste në Paris javën e kaluar. Presidenti francez Francois Hollande, i cili u është bashkuar qindra të afërmve dhe zyrtarëve policorë për ceremoninë e varrimit, ka nderuar tre policët që janë qëlluar për vdekje nga islamistët, duke thënë se Franca kurrë nuk do të dorëzohet përballë sulmeve.

Nndërsa nderoi me dekoratën më të lartë të nderit “Legion D’Honneur” në mjediset e prefekturës së kryeqytetit francez 3 oficerët e policisë që humbën jetën gjatë sulmit në “Charlie Hebdo”, Hollande tha se Franca do t'i bëjë ballë kërcënimit.

Franca jonë e madhe dhe e bukur kurrë nuk do të thyhet, por do t’i bëjë ballë kërcënimit që është prezent ende atje, brenda dhe jashtë saj”, tha Hollande.

Dy oficerë, Franck Brinsolaro dhe Ahmed Merabet, u vranë gjatë sulmit më 7 janar kundër revistës satirike "Charlie Hebdo". Ndërsa në një tjetër sulm një ditë më vonë mbeti e vrarë policja Clarissa Jean-Philippe.

Po sot, në Jerusalem janë varrosur katër viktimat hebrenje të sulmit në një dyqan të Parisit. Homazheve në nderim të tyre iu bashkuan me qindra njerëz të tjerë, shumë prej të cilëve kanë udhëtuar nga Franca për të mbajtur zi për viktimat e sulmit vdekjeprurës të komunitetit hebre. Ndërsa kryeministri izraleit, Benjamin Netanyahu bëri thirrje për një përgjigje të unifikuar ndaj sulmeve terrroriste të javës së kaluar.

“Këto nuk janë vetëm armiqtë e Izraelit, ata janë armiq të botës dhe ka ardhur koha që të gjithë popujt e civilizuar të bëhen bashkë për të çrrënjosur këto armiq që janë mes nesh.” u shpreh Netanyahu.

Yohan Cohen, Yoav Hattab, Francois-Michel Saada dhe Phillipe Braham u vranë më 9 janar, pasi u morën peng në një dyqan nga një person i armatosur.

Ndërkaq, Franca vijon të jetë e mobilizuar në forcimin e sigurisë, operacionin më të madh ndonjëherë në Francë, ndërsa policia është në kërkim të disa pesona të dyshuar si të përfshirë në këto sulme. /albeu.com/

Shtuar më 13/01/2015, ora 16:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori