FoxNews: A ka rrezik që kriza në Maqedoni të përhapet në të gjithë rajonin?
Kriza politike e cila po zgjat më shumë se sa ishte menduar në Maqedoni, ajo po thellohet edhe më tej, duke u zgjeruar edhe në Ballkan.

Urrejtja është e rrënjosur thellë në Ballkan dhe prova më e mirë për këtë janë ngjarjet më të fundit në Maqedoni.

Me këtë fjali nis shkrimi i Profesor Gjovalin Shkurtaj, që ka zënë hapësirë në versionin online të "FoxNews" në Shtetet e Bashkuara.

Këto kohë, vendi është në prag të destabilizimit për të drejtën e shqiptarëve që gjuha e tyre të njihet si gjuha e dytë zyrtare në vend.

"Këto kërkesa janë cilësuar si të papranueshme nga presidenti Gjorge Ivanov, i cili, në një lëvizje antikushtetuese, nuk lejon që koalicioni mes partisë maqedonase, LSDM dhe partive shqiptare të formojë qeverinë", vijon më tej analiza.

Gjovalin Shkurtaj pyet nëse vërtet Ivanov po kundërshton gjuhën shqipe, apo bëhet fjalë për diçka tjetër? Përgjigjjen kesaj pyetjeje, ai e jep pasi bën një rezyme të ngjarjeve të ndodhura në Shkup pas zgjedhjeve të dhjetorit.

"Nikolla Gruevski nuk bindi shqiptarët që t'i bashkohen atij në bashkëqeverisje.

E kundërta ndodhi me social-demokratët e Zoran Zaev, që nënshkruan një marrëveshje duke siguruar 67 vota në Parlament", thotë Shkurtaj.

Pikërisht në këtë moment aktivizohet Ivanov, që "FoxNews" kujton se konsiderohet si i afërt me Gruevskin.

Presidenti Ivanov dhe ish-Kryeministri Gruevski janë të shqetësuar se Zoran Zaev mund të përdorë pushtetin si Kryeministër i vendit për të rihapur hetimet për skandalin e përgjimeve dhe të tjera dosje për korrupsion, që kanë shoqëruar Gruevskin që nga ditët e para të 2015.

Ky jo vetëm mund të ishte fundi i karrierës politike të liderit të VMRO-DPMNE-së, por do të ishte edhe më reale mundësia që ai të përfundonte në burg.

Për të shmangur këtë dhe për të mbrojtur edhe miqtë e tij, Presidenti Ivanov, po nxit përplasjen ndëretnike në Maqedoni për një çështje që nuk ekziston, si ajo e përdorimit të shqipes në institucionet publike.

Shkurtaj kujton se shqipja si gjuhë zyrtare sanksionohet edhe në Marrëveshjen e Ohrit të 2001, që i dha fund konfliktit, ndërsa sjell në kujtesë edhe reagimin e Kryeministrit Edi Rama menjëherë pas vendimit të Ivanov për të refuzuar mandatimin e Zaev.

Në fund, në analizën e publikuar nga "FoxNews", Profesor Gjovalin Shkurtaj u bën thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian që të ndërhyjnë për të shmangur gjakderdhje të mëtejshme në Ballkan, përcjell "TCH". /albeu.com/

Shtuar më 14/03/2017, ora 15:54

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori