Flet ambasadori shqiptar: Ja ç'po ndodh në Pekin
Albeu.com
Përfaqësuesi diplomatik i Shqipërisë në Kinë, ambasadori Maxhun Peka, i kontaktuar me telefon nga Gazeta “Ballkan”, është shprehur se në ambasadën tonë në Kinë kanë shkuar me qindra reagime.“Përfaqësia jonë diplomatike këtu në Kinë ka marrë një numër shumë të madh reagimesh nga Qeveria Kineze dhe nga pothuaj të gjitha organizatat, që veprojnë në Kinë. Por duhet theksuar se reagimi më i ashpër ka qenë ai i Ministrisë së Jashtme të Kinës. Në reagim nuk ka dalë ministri, por zëdhënësi i tij, i cili ka kërkuar në mënyrë urgjente riatdhesimin e kinezëve. Ndërkohë që, nga ana tjetër, edhe media është marrë shumë me këtë çështje. Të gjitha reagimet, që kanë ardhur në Ambasadën Shqiptare në Kinë, i janë përcjellë Ministrisë së Jashtme shqiptare, e cila duhet t’i ketë publikuar, se edhe letrat në fjalë janë publike”, tha ndër të tjera në telefon ambasadori shqiptar në Kinë, Maxhun Peka. Po ashtu ai ka bërë të ditur se ka qenë në kontakt në çdo moment me median shqiptare dhe ka shprehur keqardhjen e tij se disa prej tyre kanë abuzuar. “Shumë media shqiptare kanë abuzuar me vizitën e ministrit të Jashtëm shqiptar, Besnik Mustafaj, në Kinë. Mustafaj në fillim ka dashur të vinte në Kinë në datën 9 ose 10 maj, por ne, duke qenë në kontakt me qeverinë kineze, i kemi rekomanduar atij që vizitën në fjalë ta zhvillonte në datat 20 ose 21 maj, pas vizitës, që ai do të kishte në Japoni. Kjo ështe e vërteta. Nuk ka asnjë pezullim takimesh, apo vizitash. E përsëris edhe një herë. Reagimi i qeverisë kineze ka qenë shumë i ashpër, por me këtë term nuk duhet të ngatërrojmë marrëdhëniet diplomatike. Nuk ka asnjë marrëdhënie të ngrirë mes dy vendeve dhe të paktën deri më tani një gjë e tillë nuk është njoftuar nga ana qeverisë kineze”, tha Peka, duke shtuar se asnjë media shqiptare nuk kishte kontaktuar me Ambasadën Shqiptare në Kinë. Sipas tij, ministri Mustafaj do të zhvillojë një vizitë në Kinë, në datat 20 ose 21 maj.
Shtuar më 12/05/2006, ora 15:27
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori