Evropa dhe fundi i integritetit territorial të Ukrainës
Carnegie Europe

Beteja për Debaltseven është e gjatë. Më 18 shkurt, presidenti ukrainas Petro Poroshenko urdhëroi trupat e tij të tërhiqen nga qyteti, që ndodhet në rajonin e Donjeckut në Ukrainën Lindore. Ushtarët nuk kishin asnjë shans për të fituar. Ata ishin dukshëm të paktë në numër në krahasim me forcat pro-ruse, të cilat Moska i ka mbështetur gjatë gjithë konfliktit.

Ndërsa ushtarët ukrainas po braktisnin qytetin e bombarduar, marrëveshja e armëpushimit e arritur në Minsk më 12 shkurt ishte thuajse e rrëzuar. Thirrjet e përsëritura të kancelares gjermane Angela Merkel, ndaj presidentit rus Vladimir Putin për të zbatuar armëpushimin, ranë në vesh të shurdhër. Diplomacia dukshëm ka dështuar.

Për më tepër, evropianët nuk i kanë kuptuar mirë ndikimet që do të ketë humbja e integritetit territorial të Ukrainës. Udhëheqësit evropianë, mund të shtrëngojnë me nerv duart e veta. Ata mund të kërcënojnë të shtojnë sanksionet që aktulisht i kanë imponuar Rusisë. Por në fakt, dëmi është kryer që prejt marsit të vitit të kaluar, kur Putini aneksoi Krimenë.

Me përgjigjen e saj të dobët ndaj këtij agresioni, BE-ja hodhi poshtë rregullat e epokës së pas Luftës së Ftohtë. Edhe Akti Final i Helsinkit i vitit 1975, në të cilin krerët e bllokut perëndimor dhe komunistët u zotuan të respektojnë paprekshmërinë e kufijve, është bërë copë e çikë.

Evropa po hyn në një epokë të re e të rrezikshme, për të cilën ajo është tërësisht e papërgatitur.

Kur bëhet fjalë për përballjen me kërcënimet reale ndaj kufijve të saj lindore (sikurse e kupton këtë Rusia), evropianët ende kapen tek ideja e demonstrimit të fuqisë së butë. Por në të njëjtën kohë, disa qeveri i janë bashkuar koalicionit të udhëhequr nga SHBA për të luftuar kërcënimin terrorist, që vjen nga Shteti Islamik në Irak dhe Siri.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, e cila është duke përpunuar një dokument të ri strategjik që i referohet Rusisë si një kërcënim, u përpoq të shpjegojë dallimin mes qasjes ndaj agresionit rus dhe xhihadit. Duke folur në Konferencën mbi Sigurinë në Mynih, Von der Leyen tha se diplomacia nuk mund të merret vesh me Shtetin Islamik, pasi nuk ka asnjë njeri me të cilin të mund të bisedohet. Prandaj, forca është një opsion i zbatueshëm. Por ky – tha ajo – nuk është rasti i Rusisë. Atje Perëndimi ka një partner negociues.

Por mesa duket, jo më. Dështimi i marrëveshjes së fundit të armëpushimit në Ukrainën Lindore dëshmon për kotësinë e të folurit me presidentin rus. Disa udhëheqës evropianë mundet të luten që të ndryshohet strategji. Por mënyrat e tepruara me të cilat disa liderë merren vesh me Putinin, janë realisht të turpshme. Ata tallen me çështjen e unitetit evropian dhe vuajtjet e tmerrshme të civilëve në Ukrainë Lindore.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, që priti Putinin në Budapest në datën 18 shkurt, është i gatshëm ta bëjë vendin e tij edhe më të ndërvarur nga energjia ruse, duke rënë dakord të pranojë kreditë ruse për të ndërtuar një reaktor të ri bërthamor pranë qytetit qendror hungarez të Paksit.

Kjo varësi bart një çmim të lartë, në formën e ndërhyrjeve politike.

Deri më tani, Orban i ka mbështetur sanksionet e BE-së kundër Rusisë dhe rolin e ri të NATO-s në Evropën Lindore dhe Qëndrore. Por mbështetja e e tij vazhdueshme nuk mund të merret si diçka e mirëqenë edhe për të ardhmen. Mjerisht edhe udhëheqës të tjerë evropianë, të cilët duket se harrojnë që një luftë po zhvillohet në kufijtë e BE-së, nuk kanë dyshime të hyjnë në marrëveshje me Putinin. President i Qipros, Nikos Anastasiades do të vizitojë në datën 25 shkurt Moskën. Të mos harojmë se për shumë vite Qiproja ka qenë një strehë e sigurtë për pasuritë e oligarkëve rusë.

Kryeministri i ri grek, Aleksis Cipras, ka lënë të nënkuptohet, në një mënyrë jo aq elegante, se ai mund t’i drejtohet Rusisë për ndihma financiare nëse dështojnë bisedimet me ministrat e financave të BE-së, mbi ndryshimin e kushteve të programit të ndihmës.
Dhe mos harroni Millosh Zemanin, Presidentin e Republikës Çeke, i cili është i njohur për qëndrimin e tij pro-rus. Me udhëheqës të tillë, nuk do të ishte çudi që BE ndonjë ditë të arrijë t’i heqë sanksionet ndaj Moskës.

Por ka një çështje që bart edhe më shumë rreziqe: mungesa e gatishmërisë së evropianëve për të mbrojtur integritetin territorial të Ukrainës ka vendosur një precedent.
Dikush mund të thotë se Rusia e testoi vendosmërinë e Brukselit që në vitin 2008, pasi pushtoi për një kohë të shkurtër një pjesë të Gjeorgjisë. Asokohe, përgjigja e BE-së dhe Perëndimit në përgjithësi ishte tejet e dobët.

Dhe ndërsa Rusia gjatë vitit të kaluar filloi të shkëpuste gradualisht pjesë të Ukrainës Lindore, në nëntor të vitit 2014 Kremlini nënshkroi një pakt sigurie me Republikën e vetë-shpallur të Abkhazisë, që Rusia e shkëputi de fakto nga Gjeorgjia gjatë luftës së shkurtër të gushtit 2008.
Me rënien e Debaltseves, Poroshenko nuk kishte asnjë mundësi tjetër përveçse të thirriste në ndihmë Kombet e Bashkuara dhe BE-në, për të dërguar trupa paqeruajtëse në Ukrainën Lindore. Ciladoqoftë përgjigja përfundimtare ndaj kësaj kërkese, zakonisht detyra e paqeruajtësve është të ruajnë statuskuonë në terren, jo për të ndrequr ato që kanë ndodhur më herët. Një skenar ky që mund t’i përshtatet Putinit.

Apeli i Poroshenkos konfirmon gjithashtu sesi BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara dështuan t’i jepnin OSBE-së personel të mjaftueshëm dhe mbështetjen e duhur për të monitoruar si duhet marrëveshjen e armëpushimit të arritur në shtator të vitit të kaluar, pas bisedimeve në Minsk.

Separatistët pro-rusë kanë bërë çdo gjë për të penguar punën e vëzhguesve të OSBE-së.

Gjithësesi, mungesa e dëshirës së evropianëve për të mbrojtur integritetin territorial të Ukrainës është për shkak jo vetëm i ngurrimit të shumicës së qeverive të BE-së, për të furnizuar Ukrainën me armë.

Përveç argumenteve të pafundme, mbi atë nëse dërgimi i armëve do ta inkurajojë Putinin për të përshkallëzuar apo zbutur konfliktin, kjo mosdashje gjithashtu rrjedh nga fakti se shumica e qeverive evropiane nuk besojnë se integriteti territorial i Ukrainës ka ndonjë rëndësi jetike për sigurinë e tyre.

Për shumicën e evropianëve, lufta në Ukrainë – ndryshe nga ajo ndaj Shtetit Islamik – nuk përbën kërcënim për mënyrën e jetesës dhe vlerat e tyre. Megjithatë, lufta ka vënë në pikëpyetje vlerat e Evropës dhe parimin e kufijve të padhunueshëm. Cili udhëheqës evropian do ta mohonte këtë?/albeu.com/

Shqipëroi: Bota.al
Shtuar më 24/02/2015, ora 19:14

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori