Akuza e fortë: Si Rama po tenton të kapë AMA-n duke shkelur ligjin(VIDEO)

Ditën e sotme PD me anë të ish-deputetes Albana Vokshi ka sulmuar Kryeministrit Rama duke e akuzuar se po tenton kapjen e Autoritetit të Mediave Audiovizive.

Ish-deputetja, Albana Vokshi, tha se Rama po merr nën kontroll të plotë një tjetër organ të pavarur me ligj.

Sipas saj, emërimi i mercenarëve të tij partiakë në krye të AMA-s, e politizon plotësisht institucionin e projektuar nga Rama si gjykatë politike për ndëshkimin e gazetarëve dhe mbylljen e portaleve.

Deklarata e Vokshit:

Në kohën që Komisioni i Venecias ndodhet në Shqipëri për të mbledhur fakte mbi dy ligjet e censurës mediatike që kërkojnë të vendosin nën diktat edhe mediat online, Edi Rama po kërkon të vërë nën kontroll të plotë edhe institucionin tjetër kyç në zbatimin e ligjeve të censurës, Autoritetin e Mediave Audiovizive.

Përmes një procedure korruptive, Edi Rama po emëron në krye të AMA-s rrogëtarët e zyrës së tij.

Ligji përcakton si kriter të parë depolitizimin, jopartishmërinë e kandidatëve.

Por aplikantët janë vartës të Edi Ramës dhe Erion Veliajt, të paguar prej tyre si fjalim shkrues në Partinë Socialiste apo si këshilltarë në disa ministri.

Maklen Misha, mercenar i Edi Ramës dhe Erion Veliajt, synon të zërë vendin e lënë bosh nga i ati dhe të marrë drejtimin e AMA-s.

Këto kandidime partiake synojnë marrjen e kontrollit të plotë prej Edi Ramës të Autoritetit të Medias Audiovizive, e projektuar si gjykatë politike për ndëshkimin e gazetarëve dhe mbylljen e portaleve.

Edi Rama e ka jetike kapjen e mediave, sulmin dhe shantazhimin ndaj tyre, në mënyrë që gazetarët te heshtin për skandalet e përditshme të qeverisë së tij.

Përsa kohë Edi Rama do të vazhdojë të jetë në drejtimin e vendit, media është në rrezik, të drejtat e qytetarëve janë në rrezik, vendi është në rrezik!


Shtuar 14.02.2020 16:29