Eurovisioni solli Serbinë në qendër të vëmendjes
Albeu.com
Serbia së shpejti mund të ketë një qeveri anti-europiane, por këtë javë serbët janë kthyer në tifozët më të mëdhenj europian, teksa në Beograd filloi edicioni i 53-të i Festivalit të Këngës në Eurovision.Në natën e parë gjysmë-finale u zgjodhën vendet që do të shkojnë në mbrëmjen gala: Greqia, Rumania, Armenia, Finlanda, Izraeli, Polonia, Rusia, Norvegjia, Azerbajxhani dhe Bosnja. Një tjetër gjysmë-finale prej të cilës do të zgjidhen 10 vendet e tjera do të zhvillohet të enjten. Në këtë grup garojnë edhe Maqedonia me trion Tamara, Adrian Gaxha dhe Vërçak si dhe Shqipëria me adoleshenten Olta Boka. Në edicionin e 53-të të Eurovisionit aplikohet një sistem i ri i votimit, pas kritikave të vitit të shkuar kur shumë vende nga Perëndimi nuk mundën të arrinin në finale. Ky sistem pritet të shmangë votimet mes fqinjëve. Aleatët në votimet tradicionale, Greqia për Qipro janë ndarë. E njëjta gjë është bërë edhe me vendet e Balltikut, Skandinavisë dhe ato të ish-Jugosllavisë. 20 vendet e sukseshme nga gjysmëfinalet do t’i bashkohen në finalen e së shtunës, fitueses së vjetshme, Serbisë si dhe katër kontribuesëve më të mëdhenj të Eurovisionit, Britania, Franca, Gjermania dhe Spanja. Sipas parashikimeve, pritet që përfaqësuesja e Suedisë, Sharlot Pereli të fitojë këtë vit Eurovisionin, por kjo do të vërtetohet në mbrëmjen e së shtunës. Spektakli drejtohet nga Jovana Jankoviq dhe kantautori i njohur serb Zheljko Joksimoviq. (Alsat)
Shtuar më 21/05/2008, ora 23:39
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori