Çmimi i bukës, Autoriteti i Konkurrencës mbron oligarkët e miellit? I kapi me shkelje, nuk i dënoi, tani thotë se do dalë me një vendim

Autoriteti i Konkurrencës shprehet se do të dalë me një vendim për importuesit e miellit pasi konstatoi se ata kishin shkatërruar konkurrencën në treg. Hetimi u mbyll një vit më parë dhe atëhere Konkurrenca ishte mjaftuar vetëm me një këshillim.

Ky autoritet nuk kishte vendosur asnjë masë ndëshkuese ndaj importuesve të miellit dhe grurit në atë kohë, por i ka toleruar ata duke i paralajmëruar që të bëjnë kujdes.

Situata bëhet edhe më e pabesueshme ku vetë Autoriteti i Konkurrencës thotë se ka konstatuar një koordinim mes kompanive në treg kur mbylli hetimin në 20 korrik 2020, e megjithatë nuk ka marrë asnjë masë ndaj tyre.

“Konstatohet sjellja e bashkërenduar midis ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK, në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit, pasi këto ndërmarrje bashkërendojnë sjelljen duke caktuar çmimet e shitjes dhe duke kontrolluar prodhimin në tregun e miellit për shkak të integrimit vertikal, sjellje e cila bie në kushtet e zbatimit të nenit 3 pika 4, dhe nenin 4 pika 1 gërma a dhe b të ligjit 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, shprehet Komisioni i Konkurrencës.

Ndërkohë që ka konstatuar marrëveshjen për përcaktimin e çmimit të miellit, edhe pse kjo dënohet me ligj, Konkurrenca mjaftohet vetëm me një këshillim ndaj tyre para një viti, i cili është si më poshtë:

Vendosëm detyrimin e ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK si vijon: 1. Të mos caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi; 2. Të mos kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet; 3. Të mos ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit; 4. Gjatë periudhës së monitorimit të raportojnë çdo 3 (tre) muaj pranë AK-së të dhëna mbi blerjet dhe shitjet në përmbushje të detyrimeve të dhëna sipas kësaj pike.

Në fund, pasi i ka këshilluar, Konkurrenca i paralajmëron se nëse nuk marrin parasysh këshillat e saj, do të detyrohen t’i dënojnë.

“Moszbatimi i përmbushjes së këtij vendimi, në zbatim të nenit 73 dhe 74 të ligjit nr. 9121/2003, ndëshkohet me penalitetet përkatëse”, shprehen Komisioni i Konkurrencës.

E vetmja e re e reagimit të sotëm të Autoritetit të Konkurrencës lidhet me njojftimin se tashmë do të marrin një vendim ndaj kompanive në fjalë, edhe pse një vit më parë i kishte toleruar.

Ndërkohë, çmimi i bukës është shtrenjtuar me argumentin se importuesit e miellit rritën çmimin e këtij produkti bazë për prodhuesit e bukës./abcnews.al


Shtuar 9.09.2021 14:44