Nesër mot i nxehtë, pasnesër rikthehet shiu dhe rrufetë në Kosovë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se nesër do të jetë mot i nxehtë, kurse pasnesër pritet të ketë reshje afatshkurta e shkarkime rrufesh.

“Do të vijojë situatë e ngjashme meteorologjike. Masat e nxehta të ajrit me origjinë afrikane vazhdojnë me të njëjtën ritëm, sa i përket fushave termike. Do të ketë orë të gjata me diell dhe erëra të lehta deri mesatare”, thuhet në komunikatë.

IHMK shton se, “të enjten përpos temperaturave të ngjashme që parashihen të regjistrohen, gjatë pjesë së dytë të ditës pritet të ketë vranësira lokalisht të dendura të cilat mund të shoqërohen me reshje afatshkurta dhe shkarkime rrufesh”.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 31-33 gradë Celsius. Indeksi UV vazhdon të mbetet i lartë, prandaj preferohet kujdes nga rrezet e diellit prej orës 9-17.

Do të fryjë erë nga drejtimi i veriperëndimit me shpejtësi maksimale deri 9 m/s.


Shtuar 30.06.2020 18:16