Erdogani vazhdon me kritika drejtuar perendimit
Albeu.com
Kryeministri turk, Recep Tayip Erdogan, ka akuzuar vendet perëndimore për mungesë të “sinqeritetit dhe ndershmërisë” në zgjidhjen e mosmarrëveshjes bërthamore me Iranin, njoftoi agjencia turke Anatolia.
Duke folur para gazetarëve gjatë vizitës së tij zyrtare në Brazil, Erdogan kritikoi vendet e Perëndimit pse nuk flasin për Izraelin, i cili, sipas disa ekspertëve, ka arsenal bërthamor.

“Nuk keni qasje të njëjtë në raport me këtë çështje, ndërsa sillni tensione lidhur me Iranin. Konsideroj se kjo nuk është një qasje e ndershme dhe e sinqertë”, ka thënë Erdogan, transmeton REL.

Tensionet ndërmjet SHBA-së dhe Turqisë e Brazilit, anëtare këto jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, janë rritur, pasi SHBA-të kanë kundërshtuar marrëveshjen e arritur më 17 maj midis Teheranit, Brazilit dhe Ankarasë, mbi shkëmbimin e karburantit bërthamor.

Pavarësisht nga kjo marrëveshje, Washingtoni vazhdon të kërkojë vendosjen e sanksioneve të reja për Iranin, duke thënë se Teherani nuk po përdor programin bërthamor për qëllime civile.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka thënë se marrëveshja e këtyre tri vendeve ka për qëllim “blerjen e kohës” dhe e “bën botën më të rrezikshme”.
Shtuar më 30/05/2010, ora 11:22
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori