Erdogani ofron perime të lira për ta shmangur humbjen në zgjedhjet lokale
Partia e presidentit turk mund ta humbë pushtetin në disa qytete të mëdha për shkak se inflacioni i lartë i ka goditur xhepat e votuesve.

“Ku janë qepët? Nuk mund të gatuaj bizele pa qepë”, i thotë një plakë shitësit në njërën nga tezgat e reja në Stamboll. “Ku janë patëllxhanët dhe specat? Nëse nuk i keni këto, pse jeni këtu”, pyet sërish gruaja e moshuar.

Dhjetëra njerëz prisnin në radhë pranë një tezge të bardhë në mes të sheshit “Taksim” javën e kaluar. Kjo është vetëm një nga 150 tezgat me perime që janë vendosur në Stamboll dhe Ankara nga presidenti turk, Rexhep Erdogan, për ta luftuar atë që ai e quan “terrorizëm i ushqimit”, që në fakt është rritja e madhe e çmimit të ushqimeve themelore. Kjo rritje e ka ngjallur zemërimin e popullsisë ndaj qeverisë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Tendat, në të cilat shiten perime me çmime më të ulëta sesa ato të tregut, janë bërë të popullarizuara dhe të nevojshme. Rënia e vlerës së lirës turke vitin e kaluar ka bërë që inflacioni të shkojë në 20 për qind, ndërsa muajin e kaluar Turqia hyri në recesion.

Turqia nuk do të mbajë zgjedhje të përgjithshme deri në vitin 2023. Si rezultat, gara e së dielës që do të duhej të paraqiste zgjedhje të rëndomta lokale. Sidoqoftë, ato janë shndërruar në garë të ashpër që lidhet jo vetëm me dobësimin e ekonomisë, por edhe me vetë kontrollin e Erdoganit. “Ata bëjnë gjëra të tilla sa herë që mbahen zgjedhje. Ata thonë se po na ndihmojnë, por nuk mendoj që këto tenda do të jenë këtu pas ditës së zgjedhjeve, ndonëse e çmoj këtë mbështetje”, tha Semra, e cila është përkrahëse e partisë së Erdoganit,raporton express.

Ndonëse vetëm gjysma e prodhimeve të reklamuara ndodhen në tendat e sheshit “Taksim”, rreth 3000 njerëz në ditë i vizitojnë ato. Kjo nismë nuk po shërben vetëm për votuesit e Erdoganit. Edhe sirianët dhe afganët po presin në radhë për të blerë perime të freskëta, të cilat për një pjesë të madhe të popullsisë janë bërë luks, shkruan “The Guardian”.
Shtuar më 31/03/2019, ora 12:57

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori