Erdogan: Askush nuk e dëmton bashkëpunimin tonë me Putinin
Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, e ka përsëritur qëndrimin se vendi i tij do ta çojë deri në fund blerjen e sistemit S-400 nga Rusia dhe do të bashkëpunojë me Moskën për prodhimin e sistemit S-500 në të ardhmen, pavarësisht presionit të Shteteve të Bashkuara kundër kësaj marrëveshjeje.

“Nuk vjen në shprehje absolutisht bërja e hapave prapa për blerjen e sistemit S-400. Ajo është një marrëveshje e kryer”, tha Erdogan gjatë një takimi me studentët në Stamboll. “Do të ketë prodhim të përbashkët të sistemit S-500 pas sistemit S-400”, shtoi ai.

Erdogan gjithashtu tha se pret që Shtetet e Bashkuara ta lejojnë pjesëmarrjen e Ankarasë në prodhimin e aeroplanëve luftarakë F-35 pasi Uashingtoni e kërcënoi Turqinë se do të përjashtohet nga ky proces, nëse e blen sistemin raketor nga Rusia. Turqia i ka porositur 100 aeroplanë luftarakë të këtij modeli për ushtrinë e saj.

“Amerikanët po e sjellin topin në mesfushë dhe po ngurrojnë. Sidoqoftë, herët apo vonë, ne do t’i marrim aeroplanët. Ndalimi i tyre nga Shtetet e Bashkuara nuk është opsion”, tha ai gjatë bisedës së transmetuar në televizione.

Administrata e presidentit amerikan dhe anëtarët e Kongresit kanë bërë thirrje që Turqia ta anulojë blerjen e këtij sistemi nga Rusia, për të cilin fuqitë perëndimore thonë se nuk përshtatet me sistemet e NATO-s dhe paraqet kërcënim për aeroplanët luftarakë të prodhimit amerikan, shkruan “Free Europe”
Shtuar më 19/05/2019, ora 11:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori