Edhe Dubain e ka kapur kriza financiare
Albeu.com
Dubai duhet të ishte një mrekulli e Lindjes së Mesme, një shembull i shkëlqyer i sipërmarrjes arabe dhe kapitalizmit perëndimor, por kohët e vështira kanë mbërritur edhe në qytetin e mrekullueshëm. Ai lindi nga mesi i shkretëtirës dhe synonte të ishte shumë më tepër se një mirazh.Fytyra e buzëqeshur e sheikut Muhamed, sundimtari absolut i Dubait, shkëlqen në të katër anët e vendit. Atë e gjen në çdo fasadë e godinë, mbi çdo reklamë perëndimore, si mbi atë të McDonald e firmave sportive. Ky njeri e ka reklamuar Dubain si qyteti i njëmijë e një dritave arabe, një mrekulli të Lindjes së Mesme, që lindi nga shkretëtira për të ndriçuar gjithë rajonin. Figura e tij qëndron edhe në majën e godinës më të lartë në botë, një kullë e gjatë dhe e hollë që synon të rrokë qiellin. Por diçka e ka pickuar së fundi buzëqeshjen e sheikut. Kranet dhe vinçat gjigantë kanë ngrirë në hapësirat ku ndërtohet, sikur koha vetë të kishte stopuar. Në Dubai, shumë godina kanë mbetur në mesin e rrugës, gjysmë të ndërtuara dhe në dukje të parë të braktisura. E ndërsa ndërtimet e lagjeve dhe godinave gjigante kanë ndaluar, dalëngadalë po dalin në shesh edhe sekretet e errëta të Dubait. Ai është një qytet i ndërtuar nga hiçi, vetëm brenda disa dhjetëvjeçarëve dhe gjithçka e ka bazuar mbi borxhe, dëmtimin e mjedisit dhe natyrës, shtypjes dhe skllavërisë. Ky qytet është një metaforë e gjallë e botës globaliste neo-liberale.


Një Disnejland për të rriturit

Karen Andrews nuk mund të flasë. Sa herë që nis të rrëfejë historinë e saj, ul kryet. Është trupvogël dhe e hajthme dhe ka pamjen e një ish-pasanikeje. Ajo jeton në makinën e saj, një Range Rover. Ka muaj që fle aty, në parkingun e një hoteli të madh, falë zemërgjerësisë së pronarit të parkingut që nuk i bën zemra ta largojë që andej. Sigurisht që kjo nuk është situata që ajo kishte ëndërruar si fundin e ëndrrës së saj të Dubait. Karen erdhi në Dubai nga Kanadaja, pasi të shoqit iu ofrua një vend pune në një sektor të rëndësishëm të një shumëkombsheje të famshme. Ata erdhën në Dubai, në vitin 2005. Sipas saj, ky qytet ngjante me një Disnejland ku sheiku ishte Muhamed ishte miu. Sipas rrëfimit të saj, në fillim, jeta ishte fantastike sidomos shtëpia ku ata u vendosën me një ushtri shërbëtorësh, gjithçka falas dhe mungesë taksash. Dukej sikur të gjithë ishin shefa të mëdhenj dhe e gjithë jeta ishte një shfaqje dhe festë e madhe e pafund. I shoqi bleu dy prona dhe kishte shumë para, por për herë të parë në jetën e tyre, ai nisi që të shpenzonte shuma të mëdha dhe të hutohej. Sipas Karen, kjo ishte diçka që nuk ndodhte kurrë më parë me Danielin. Pak nga pak, nisëm të hynim në borxhe, pasi jeta që bënim ishte vërtet e jashtëzakonshme. Një vit më pas, kuptova arsyen e shpenzimeve. "Im shoq u diagnostikua me tumor". Një mjek i kishte thënë se i kishte mbetur vetëm një vit jetë, një tjetër se tumori ishte benin dhe se nuk kishte asnjë problem, por ndërkohë borxhi ynë po rritej. "Para se të vija në këtë vend, nuk dija asgjë në lidhje me ligjet e Dubait. Mendoja se, duke qenë se në këtë vend kishte shumë kompani perëndimore, edhe ligjet duhet të ishin të tilla. Askush nuk më tha se nuk njihej koncepti i falimentimit, pra nëse bie në borxhe nuk falimenton, por shkon drejt e në burg. Kur e mësova një gjë të tillë, i thash tim shoqi se duhet të largoheshim menjëherë. Ai tha se kishte marrë një siguri nga kompania e tij se nuk do t‘i ndodhte asgjë, por ndodhi që kompania pati probleme financiare dhe me borxhe të papaguara nuk mund të largoheshim nga vendi. Befas, jeta jonë ndryshoi menjëherë. Mbetëm pa shtëpi, pa makina, pa karta krediti. Danielin e arrestuan. Atij iu bë gjyqi në arabisht dhe e dënuan me gjashtë vjet burg. Këtu në Dubai jam ilegale, sepse duhet ta kisha lënë vendin". Sipas Karen, që nuk është aspak e huaja e vetme në kushte të tilla, Dubai i vërtetë është shumë ndryshe nga ai që duket nga filmat apo reklamat. Sipas saj, shumë të huaj ndillen për të punuar në këtë vend, dhe shumë vonë e kuptojnë se ai nuk është aspak një demokraci, por një diktaturë e fshehur.


Gjembaçët


30 vjet të shkuara, thuajse i gjithë Dubai modern ishte një shkretëtirë, e banuar vetëm nga kaktuset dhe gjembaçët. Në qendrën e qytetit, gjurmët e së shkuarës janë mbuluar me beton dhe hekur. Në mesin e shekullit të 18-të, aty u ndërtua një fshat i vogël, në pjesën e ulët të Gjirit Persik, ku njerëzit kryesisht zhyteshin në ujëra për të kapur perla. Pak nga pak, nisi të grumbulloheshin njerëz që vinin nga Persia, India dhe vende të tjera arabe, të gjithë me shpresën se në këtë vend do t‘ia dilnin që të bënin pasuri. Vendit i dhanë emrin e një karkaleci të zonës, daba. Më pas, qyteti u pushtua nga britanikët që e mbajtën deri në vitin 1971. Pas ikjes së tyre, Dubai vendosi që të bënte aleancë me gjashtë shtete të tjera që kishte përreth dhe të krijonte kështu Emiratet e Bashkuara Arabe. Ndërsa britanikët ikën, në vend u zbulua nafta dhe sheikët befas e panë veten në mesin e një dileme të madhe. Ata ishin disa nomadë të pashkolluar që e kishin kaluar jetën duke ngarë deve nëpër shkretëtirë, ndërsa ja ku ndodheshin tani përballë një "qypi" me flori. Çfarë duhet të bënin me të?

Krahasuar me Abi Dhabin, nafta e Dubait thjesht pikonte, kësisoj sheiku Maktoum vendosi që t‘i përdorte të ardhurat e naftës për diçka që do të zgjaste. Ai vendosi që ta shndërronte shkretëtirën dhe të ndërtonte në të një qytet të madh që do të shndërrohej në qendrën më të madhe turistike dhe tregtare të rajonit dhe do të thithte para dhe talente nga e gjithë bota. Për këtë, ai u ofroi investitorëve mungesën e plotë të taksave dhe ata u dyndën në Dubai për të derdhur milionat e tyre, duke kaluar shumë në numër popullsinë vendase që aktualisht përbën vetëm 5 për qind të Dubait. Brenda tre dhjetëvjeçarësh, një qytet modern dhe i lartë sikur ra nga qielli. Për 30 vjet, nga një qytet i shekullit të 18, Dubai u shndërrua në një qytet avangardë të shekullit të 21-të. Nëse do të ndërmarrësh ture nëpër qytet, drejtuesit do të të mbushin me propagandë për mrekullitë që kanë ndodhur në këtë vend sa hap e mbyll sytë, vetëm falë mendjes së ndritur të sheikut. Por e vërteta është krejt ndryshe. Ky qytet i mrekullueshëm është ngritur nga skllevërit.


Heronjtë e heshtur


Ekzistojnë tri pamje të ndryshme të Dubait, që sillen rreth njëra-tjetrës. Janë të huajt si rasti i Karen, janë banorët e Emirateve që qeverisen nga sheiku Mohamed dhe një nënklasë të huajsh, që ndërtojnë qytetin dhe kanë mbetur të bllokuar aty. Ata mund t‘i gjesh kudo, të veshur me uniforma, tek marrin urdhrat nga shefat e tyre që ulërijnë sa kanë në kokë dhe janë thuajse të padukshëm. Pse? Sepse sipas propagandës, është sheiku ai që ka ndërtuar qytetin, ndërsa sa për punëtorët... Kush janë punëtorët vallë? Çdo mbrëmje, qindra e mijëra burrat e rinj që ndërtojnë, dërgohen në vendin ku banojnë, një biçim karantine që ndodhet një orë larg qytetit. Askush nuk i sheh, sepse transportohen me mjete të posaçme. Janë gjithë kohës të djersitur, sepse punojnë gjatë gjithë kohës. Lagjja ku jetojnë quhet Sonapur dhe në të jetojnë rreth 300 mijë shpirtra. Emri i qytetit në Hindi do të thotë "Qyteti i Arit". Vendi është i papastër dhe njerëzit vijnë erë të rëndë. Ata jetojnë nëpër ca shtëpi çimentoje që janë të gjitha njësoj, për nga arkitektura, përmasa, ngjyrat. Sipas banorëve që vijnë nga vende të varfra të botës, ata kanë ardhur në këtë vend pasi ndërmjetësit u treguan se po shkonin në një vend të ëndërrt. Por me të mbërritur e kupton se je në ferr. Ata erdhën me premtimin se do të kishin një strehim dinjitoz, ushqim të mirë dhe punë jo rraskapitëse. Kështu të huajt erdhën së bashku me familjet e tyre, madje morën edhe kredi për banesat, për të cilat duhet të rraskapiten një jetë të tërë për t‘i larë. Të gjithë janë të punësuar në kompanitë e ndërtimit dhe që në fillim iu tha se ata do të punonin vetëm 14 orë në ditë në zemër të shkretëtirës dhe vetëm për një copë bukë, në një temperaturë ku turistëve të huaj u rekomandohet që të mos dalin jashtë orët e pikut të vapës, pasi termometri shënon 55 gradë Celsius. Puna që këta të huaj bëjnë është ndër më rraskapitëset në botë. Gjatë gjithë ditës, u duhet të ngrenë tulla, çimento dhe e gjitha kjo në temperaturën përvëluese. Shumë vetë janë sëmurë, disa kanë vdekur, sepse kushtet higjieno-sanitare janë të tmerrshme dhe me rrezik të madh. Pjesa më e madhe punojnë në katet e larta të godinave të stërmëdha, ku një rrëshqitje e vogël e këmbës mund të jetë fatale për jetën. Po a reagojnë këta njerëz? Për këtë as që bëhet fjalë, sepse ankesat janë të ndaluara dhe për një ankesë mund të përfundosh në burg. Një vit më parë, disa punëtorë vendosën që të bëjnë grevë sepse nuk kishin marrë pagën e katër muajve, por policia i rrethoi, i rrahu dhe i riktheu në punë. "Rebelët" u burgosën. Po a janë bërë pishman këta njerëz që morën këtë rrugë? Kur i pyet, ata ulin sytë në tokë dhe thonë se ndihen në kurth, sepse edhe vendi nga vijnë nuk u ofron më shumë, por të paktën aty mund të rrisin bagëtitë dhe drithin, ndërsa në Dubai gjithçka është përvëluese dhe e betontë. Që nga fillimi i krizës ekonomike globale dhe recesioni, elektriciteti është prerë disa herë dhe për shumë kohë në vendet e banimit të punëtorëve dhe ata vetë nuk janë paguar që prej muajsh. Kompanitë për të cilat kanë punuar, befas janë zhdukur së bashku me pasaportat e tyre dhe paratë, dhe një pjesë ndihet si e grabitur në mënyrën më të keqe të mundshme. Ata nuk mund të largohen sepse kanë kredi për të paguar, ndaj për të mos u futur në burg, tani punojnë për bankat falas. Të gjitha rregullat e punësimit në Dubai ndaj të huajve janë shkelur prej vitesh.
Shtuar më 23/04/2009, ora 11:52
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori