“Universitetet kontrollohen nga qeveria”, Berisha: Administratorët zbatojnë urdhrat e Ministrisë

Ditën e sotme kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar një takim me të rinj dhe studentë  në selinë blu, ku është ndalur tek problemet e universiteteve.

Gjatë takimit Berisha është shprehur se kjo është një periudhë shumë e vështirë për universitetet tona ku thekson se “parimi i kontrollit qeveritar i universiteteve nëpërmjet komisarëve, dikur quheshin kancelarë dhe sot quhen administratorë dhe zbatojnë urdhrat e qeverisë dhe Ministrisë.”

“Universitetet në histori kanë patur rol përcaktues në të ardhmen dhe zhvillimin e një kombi. Ato kombe që i kanë patur të vona universitetet si ne, ato kanë patur histori shumë të vështira. Kombet me universitetet më të hershme kanë histori lirie. Universitetet janë qendra drite, qendra dije, qendra lirie në kuptimin e debatit të lirë, në kuptimin e autonomisë, në kuptimin e pavarësisë akademike të studentëve dhe pedagogëve të tyre. Kjo është një periudhë shumë e vështirë për universitetet tona. Kjo sepse në këto 8 vite, në mënyrën më të pamerituar u ndoq një politikë absolutisht rrënuese për këto universitete. U rikthyen nga Rilindja parimet atavike të tejkaluara që nga vitet ‘70-‘80 të shekullit të shkuar në vendet e lira. U rikthye parimi i kufizimit dhe pranimeve të kufizuara në universitete dhe jo i dyerve të hapura të cilin vendet e lira e kanë vendosur nga mesi i viteve ’70 e gjer sot. U rikthye parimi i kontrollit qeveritar i universiteteve nëpërmjet komisarëve, dikur quheshin kancelarë dhe sot quhen administratorë, të cilët nuk veprojnë në përputhje me interesat tuaja, me interesat e pedagogëve tuaj, me interesat e konsolidimit të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, por zbatojnë urdhrat e qeverisë dhe Ministrisë, duke rrëmbyer edhe fondet që krijon universiteti nga burime të ndryshme, përfshirë tarifat tuaja. E njëjta gjë ndodhi me bordet, u emëruan militantë dhe këto së bashku morën atë që duhet liri akademike”, tha Berisha.


Shtuar 24.10.2022 17:45