E vrau dhe copëtoi marokenen në 10 pjesë, detaje të pazbardhura mbi inxhinierin shqiptar
Rrëfimi i Agim Ajdinaj, i cili vrau dhe më pas e ndau në pjesë partneren e tij Khadija Bencheickh, nuk i mbyll hetimet për këtë ngjarje të rëndë. Kjo pasi hetuesit janë të bindur se 51-vjeçari nuk ka vepruar i vetëm, e për këtë arsye ata janë në kërkim të bashkëpunëtorit.

Ajdinaj, një 51-vjeçar shqiptar nga Fieri ndodhet në burg në Montorio, ku dhe pranoi vrasjen e bashkëjetueses 46-vjeçare nga Maroku, mbrëmjen e 29 Dhjetorit në Verona të Italisë. Përpara hetuesve, ai tha: “Po, e vrava unë, e kam bërë gjithçka vetë”. Dëshmi kjo që duket se zbuti pozicionin e nipit të tij 27-vjeçar, Lisand Ruzhdija, i cili studion matematikë në Universitetin e Romës, i akuzuar për fshehjen e kufomës. Edhe për të autoritetet vijojnë hetimet, por në gjendje të lirë.

Kështu, rezulton se Khadija është vrarë në shtëpi me një goditje fatale, apo ndoshta me grushta, më pas është ndarë në të paktën 10 pjesë dhe është hedhur në një fushë në Valeggio, Mincio.

Karabinierët i mbyllën hetimet për vrasjen makabre në më pak se një javë. Ata punuan natë e ditë, përfshirë natën e Vitit të Ri, në mënyrë që të mblidhnin provat kundër bashkëjetuesit të gruas dhe nipit të tij. Dy ishin arsyet kryesore që i çuan autoritetet në gjurmët e shqiptarëve.

Siç shpjegon kreu i Komandës Provinciale të Karabinierëve, Ettore Bramato, dyshimet nisën fillimisht sepse 48 orë pas zhdukjes të Khadija-s, bashkëjetuesi i saj dhe nipi nuk kishin sinjalizuar askënd, as prindërit apo miqtë e tyre. Elementi i dytë ishte makina e nipit, që mbrëmjen e 29 Dhjetorit u pikas rreth 700 metra larg vendit ku u gjetën pjesët e trupit të gruas.

Themelore në përmbylljen me sukses të hetimeve ishin videon e marra nga kamerat e sigurisë që shihnin rrugën dhe pallatin ku jetonte çifti. Në to gruaja shihet të futet në shtëpi gjatë orëve të vona të pasdites më 29 Dhjetor, duke transportuar qese dhe një çantë sportive, identike me ato që u gjetën në vendin ku ishte hedhur kufoma e saj. /albeu.com/
Shtuar më 10/01/2018, ora 17:51

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori