E RËNDË/ Po festonte ditëlindjen, studenti vret 2 miqtë dhe plagos 3 të tjerë (VIDEO)
Mëngjesin e të enjtes, një student nga Kalifornia e jugut hapi zjarr me një armë gjysmëautomatike me kalibër 0.45 dhe vrau dy studentë e plagosi tre të tjerë. Gjithçka ndodhi brenda pak sekondash.

Plumbin e fundit e ruajti për vete. Ai ishte 16 vjeç.

Adoleshenti i armatosur, identiteti i të cilit nuk u bë publik nga policia, i mbijetoi plumbit në kokë dhe është në gjendje kritike për jetën në spital.

Kapitel Kent Ëegener i Departamentit të Sherifit të kontesë së Los Anxheles tha për mediat se gjithë incidenti zgjati vetëm 16 sekonda pasi i riu qëndroi në një vend dhe qëlloi studentë njëri pas tjetrit.

“Nga aty ku po qëndronte, s’kishte nevojë të ndiqte kënd. Hapi zjarr nga aty deri në momentin që qëlloi veten,” tha Wegener.

Ngjarja në Saugus High School i përngjan sulmeve të tjera me armë në shkollat amerikane, përfshirë Marjory Stoneman Douglas High School në Parkland, Florida, ku një ish-student 17-vjeçar vrau 17 njerëz.

Ky është sulmi i 85 me armë në një shkollë vetëm gjatë këtij viti, raporton Reuters.

Dy studentët që humbën jetën ishin një vajzë 16-vjeçare dhe një djalë 14-vjeçar. Dy vajza të tjera, 14 dhe 15 vjeçe pësuan lëndime në trup, po ashtu edhe një djalë 14-vjeçar.

Hetuesit thonë se nuk e dinë ç’e shtyu studentin të hapte zjarr në shkollë. Policia deklaroi se kishte vepruar i vetëm. Pas ngjarjes, hetuesit vizituan shtëpinë e adoleshentit, duke bllokuar rrugën. Atje nuk gjetën asgjë të rrezikshme.

Një fqinj i 16-vjeçarit, Jared Axen, tha se të krijonte idenë e një djaloshi introvert, të qetë dhe të trishtuar, me shumë mundësi prej vdekjes së babait si pasojë e një ataku kardiak në dhjetor të 2017-s.

Axen tha se djali e gjeti babain të vdekur pak kohë pasi kishte hequr dorë nga alkooli dhe kishte marrë në dorë frenat e jetës.


Shtuar më 15/11/2019, ora 09:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori