Mitsotakis “e përjashtoi” nga darka me liderit e rajonit, reagon Edi Rama: Në tetor është i ftuar në Samitin e Berlinit në Tiranë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pasi homologu grek, Mitsotakis nuk i bëri ftesë për të marrë pjesë në darkën me liderit e rajonit që u mbajt të hënën (21 Gusht) në Athinë.

Kreu i qeverisë tha se qëndroi i heshtur deri tani për shkak se nuk donte të shqetësonte mikëpritësin e takimit informal, Mitsotakis dhe të ftuarit e tij, ku përfshiheshin liderët e Ballkanit Perëndimor.

Rama thekson se rajoni ka nevojë që Greqia të përfshihet më shumë në rrugën e përbashkët të Ballkanit Perëndimor. Më tej, kreu i qeverisë shpreson që takimi të ketë qenë efektiv dhe bën me dije se e ka ftuar kryeministrin grek në Samitin e Berlinit, i cili do të mbahet në Tiranë në tetor.

Reagimi i plotë i Edi Ramës: 

Këtu është përgjigja ime për të gjithë ata, në Greqi, Shqipëri apo gjetkë, që komentuan në mënyra të ndryshme ose u hutuan nga mungesa ime në Athinë, por edhe për gazetarët që kërkuan mendimin tim dhe nuk morën përgjigje para ngjarjes. Arsyeja është e thjeshtë: nuk doja të shqetësoja mikpritësin dhe të ftuarit e tij, duke e shtuar zhurmën para se miqtë e mi të mbledhur në Athinë të përfundonin punën e tyre.

Jam i lumtur që Kyriakos mori iniciativën për tu mbledhur me liderë shumë të rëndësishëm dhe për të diskutuar të ardhmen evropiane të Ballkanit në sfondin e agresionit rus. Rajoni ka nevojë që Greqia të përfshihet më shumë në rrugën tonë të përbashkët. Unë i kam thënë gjithmonë atij apo miqve të tjerë grekë, duke e thënë publikisht në disa raste, se sinqerisht besoj se vendi i tyre ka një rol të natyrshëm për të luajtur në Ballkan duke pasur parasysh profilin dhe përvojën e tij në BE.

Shpresoj shumë që takimi të ishte produktiv dhe sigurisht, më mirë të mos e kisha parë darkën e përdorur për t’i dërguar Shqipërisë një mesazh kontradiktor kundrejt qëllimit shumë më ambicioz të nismës dhe shpresoj që ky fakt të mos ngatërrohet.

Për sa më përket mua, të flasësh, të komunikosh, të debatosh me miqtë, aleatët, partnerët dhe fqinjët në radhë të parë është thelbi i politikës ndërkombëtare dhe të përpiqesh të vendosësh veten në vendin e tjetrit është një domosdoshmëri. Aq më tepër kur gjërat duket se shkojnë keq. Në tetor Shqipëria do të kryesojë Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë.

Natyrisht, miku im i dashur dhe kolegu shumë i respektuar në Athinë është ftuar të marrë pjesë dhe nuk mund ta imagjinoja kurrë të përgjigjem me të njëjtën monedhë, duke ftuar në vend të tij Presidentin grek, për të cilin kam edhe respektin më të madh. Unë e kuptoj presionin e palëve të treta. Por ne të gjithë kemi sfida shumë më të mëdha përpara, ka male të vërteta për t’u ngjitur. Ajo që duhet të na bashkojë në kohë të tilla të trazuara për hir të popullit tonë, vendeve tona, rajonit tonë, Evropës tonë është më e madhe se ajo që na ndan. Shumë është në rrezik globalisht, që ne të bëhemi peng i politikës së brendshme fisnore.

 

 

Ditën e djeshme u mbajt një darkë informale në Athinë. Me ftesë të kryeministrit grek në Athinë u mblodhën liderët e Ballkanit Perëndimor dhe drejtues të BE-së, por jo kryeministri Rama.

Greqia ftoi presidentin Bajram Begaj. Por ky i fundit megjithatë nuk e pranoi ftesën, duke thënë se e kishte agjendën e paracaktuar.

Samiti u mbajt në kuadër të 20-vjetorit të Deklaratës së Selanikut, që hapi rrugën për integrimin evropian të rajonit./Albeu.com/


Shtuar 22.08.2023 13:13

Tags: