Dy të vrarë, Venezuela mbyll kufirin me Brazilin dhe Kolumbinë
Së paku dy njerëz kanë vdekur dhe disa të tjerë janë plagosur gjatë përleshjeve në kufirin mes Venezuelës dhe Brazilit, raportuan mediat lokale.

Forcat e sigurisë së Venezuelës hapën zjarr ndaj një grupi civilësh, të cilët provuan të pengojnë bllokimin e kufirit nga ana e forcave ushtarake.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka bërë thirrje të shmanget dhuna në Venezuelë.

Zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Stephane Dujarric, tha se “çdo humbje e jetës është për keqardhje dhe se Sekretari i Përgjithshëm apelon fuqishëm që të shmanget dhuna”.

Presidenti i kontestuar i Venezuelës, Nicolas Maduro, njoftoi për mbylljen e kufirit me Brazilin, për të bllokuar ndihmat humanitare.

“Kufiri me Brazilin do të mbyllet plotësisht dhe absolutisht deri në njoftimin e radhës”, tha Maduro.

Udhëheqësi i majtë tha në një fjalim televiziv se po shqyrton mbylljen e kufirit edhe me Kolumbinë për të ndaluar opozitën që të fusë ndihma.

Dhjetëra vende, në mesin e tyre edhe SHBA-ja, e kanë njohur udhëheqësin e opozitës, Juan Guaido, si president të përkohshëm të Venezuelës.

Guaido e ka shpallur veten lider të përkohshëm gjatë protestave antiqeveritare në Venezuelë, muajin e kaluar.

Shtuar më 23/02/2019, ora 10:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori