Dy shtete heqin nga qarkullimi Boeing 737 Max
Pas Indonezisë dhe Kinës, edhe Australia dhe Singapori i kanë anuluar të gjitha fluturimet që janë paraparë të kryhen me aeroplanët e tipit “Boeing 737 Max”, të cilët janë modeli i fundit i prodhuesit amerikan. Këto vendime janë marrë për shkak të dy aksidenteve ajrore brenda pesë muajsh me aeroplanët e këtij modeli.

Rrëzimi i aeroplanit “Boeing 737 Max” në Etiopi ka bërë që vlera e prodhuesit në treg të bie shumë. Vlera e aksioneve të kompanisë ka rënë për 5 për qind vetëm gjatë ditës së hënë. Përafërsisht 40 për qind e aeroplanëve të këtij modeli tashmë janë vendosur jashtë përdorimit nga autoritetet e shteteve të ndryshme, përfshirë Kinën, ku operojnë 97 të tillë.

Sidoqoftë, autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë thënë se përdorimi i këtyre aeroplanëve është i sigurt, ndonëse nga rrëzimi i aeroplanit të kompanisë “Ethiopian Airlines” humbën jetën të gjithë 157 personat që ndodheshin brenda tij.


Shtuar më 12/03/2019, ora 14:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori