Dy serbë viktima të bombardimeve amerikane në Libi
Ofensiva ajrore e SHBA-ve në Libi i ka kushtuar jetën dy pjesëtarëve të Ambasadës serbe të cilët prej një viti mbaheshin peng në një kamp të ISIS.

Këtë lajm e ka komunikuar vetë ministri i Jashtëm u Serbisë, Ivica Daçiç, i cili i identifikoi dy viktimat. Sladjana Stankoviç ishte përgjegjëse e zyrës së shtypit, ndërsa Jovica Stepiç shërbente si shofer i Ambasadës.

Ata ishin rrëmbyer me forcë nga militantët pasi autokolona diplomatike, përfshirë edhe ambasadorin serb, po kalonte në qytetin libian të Sabratha.

"Ne kemi të dhënat, përfshirë edhe fotografitë çka dëshmojnë se vdekja e tyre është një incident fatkeq i cili ka ndodhur me vërtetë", tha Ivica Daçiç.

Prej dy ditësh Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë një fushatë intensive ajrore në Libi për të shkatërruar bazën terroriste të lokalizuar atje. 41 persona kanë humbur jetën në këtë seri sulmesh nga avionët luftarakë amerikanë.

Bombardimet e së premtes që i morën jetën edhe dy serbëve, kishin si objektiv një kamp të ISIS, rreth 70 kilometra në perëndim të Tripolit. Autoritetet amerikane deklaruan se me shumë gjasë mes të vrarëve është edhe ekstremisti tunizian, Noureddine Chouchane.

Chouchane është përgjegjës për dy sulme të kryera vitin e kaluar në Tunizi, përfshirë atë ku mbetën të vrarë 30 shtetas britanikë. Prej 4 vitesh, Libia është mbërthyer nga trazirat që kur u rrëzua nga pushteti lideri Muammar Gaddafi, ndërsa tani regjimi aktual po sfidohet nga një numër grupesh terroriste, mes të cilëve është edhe ISIS. /albeu.com/
Shtuar më 20/02/2016, ora 14:41

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori