“Një çast lirie” përmes librit në burgun “Ali Demi” në Tiranë, nisma përqafohet nga qytetarët dhe institucionet

78 gra dhe vajza të dënuara dhe të paraburgosura në burgun e vetëm të grave në Shqipëri, IEVP “Ali Demi”, që ndodhet në Tiranë, kanë shansin të fitojnë “çaste lirie” nga qelia përmes librave.

Iniciativa “Dhuro një libër, për një çast lirie” që lindi si ide nga drejtoresha e re e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale “Ali Demi”, Lindjana Laçi, është përqafuar nga ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, universitetet dhe qytetarët e thjeshtë të Tiranës.

Deri më tani janë grumbulluar dhjetëra libra nga nisma që tashmë ka pasuruar bibliotekën e burgut. Në dispozicion të qytetarëve që duan të japin kontributin e tyre në këtë nismë që zgjat deri në fund të shtatorit janë ngritur stenda pranë IEVP “Ali Demi”, ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Të shumtë kanë qenë dashamirësit e librit që kanë shkuar pranë burgut të grave me libra në duar, duke përgëzuar drejtorinë për iniciativën.

Falë kësaj nisme gratë tashmë janë më të motivuara për të lexuar. Kërkesat më të larta kanë qenë për libra socialë, të cilët kanë qenë si një terapi për to për të kapërcyer dramën që po kalojnë. Duke qenë se të mbyllura pas hekurave ka edhe shtetase të huaja, janë dhuruar edhe shumë libra në gjuhën angleze.

Miku im më i mirë është ai që më dhuron një libër të cilin nuk e kam lexuar! Me këtë shprehje të A.Lincoln, stafi i IEVP “Ali Demi” shpreson që nismës së dhurimit të librave t’i bashkohen edhe më shumë institucione dhe qytetarë të tjerë deri në fund të shtatorit.


Shtuar 21.08.2023 14:22