Disa ngjarje rrëqethëse se si përndiqen kundërshtarët në Arabinë Saudite
Faisal al Jarba e braktisi atdheun e vet, Arabinë Saudite, vitin e kaluar kur rreziku po i afrohej, pasi shefi i tij, një princ i fuqishëm saudit, u arrestua dhe pasi një mik i tij vdiq në rrethana të dyshimta përderisa ishte nën mbikëqyrje qeveritare.

Jarba, një sheik udhëheqës i një fisi të madh, udhëtoi për në kryeqytetin e Jordanisë, Amman, duke u bashkuar me të afërmit e vet. Sidoqoftë, ajo gjë nuk kishte për të zgjatur shumë. Zyrtarët jordanezë të sigurisë e rrethuan shtëpinë e tij në një mbrëmje qershori dhe e morën atë për ta marrë në pyetje, duke e siguruar familjen e tij se ai do të kthehej së shpejti.

Sidoqoftë, brenda pak ditësh ai u dërgua në kufi me Arabinë Saudite dhe iu dorëzua autoriteteve saudite. Ndaj tij nuk është ngritur ndonjë akuzë dhe për pesë muaj sa mbahej atje, familja e tij nuk kishte pranuar ndonjë dëshmi se ai ishte ende gjallë.

Vrasja e gazetarit Jamal Khashoggi në Stamboll muajin e kaluar nga një skuadër e agjentëve sauditë që u dërguan nga Riadi ka bërë që të kryhen hetime të hollësishme rreth rrëmbimeve saudite të vendasve që ndodhen jashtë vendit, duke nisur nga disidentët e zakonshëm deri te dezertuesit e nivelit të lartë të familjes mbretërore.

Përpjekjet për t’i heshtur kritikët sauditë që jetojnë jashtë vendit datojnë dekada më parë dhe kalojnë nëpër mandatet e disa monarkëve. Sidoqoftë, Princi Mohammed bin Salman, udhëheqësi faktik i mbretërisë, e ka vazhduar praktikën me një zell të jashtëzakonshëm prej që e mori pozitën në vitin e kaluar, duke e bërë kthimin e kundërshtarëve në atdhe një politikë zyrtare të shtetit, ndonëse këto kthime do të duhej të ishin pjesë e negociatave dhe jo të jenë të detyruara.

Me qëllim të kthimit të kritikëve në vend, qeveria saudite ka kërkuar edhe nga qeveritë rajonale me të cilat ka marrëdhënie të mira që t’i arrestojë ata dhe madje ka kryer edhe kidnapime në Evropë. Shtetasit sauditë janë zhdukur nga dhomat e hoteleve, janë nxjerrë nga veturat e tyre dhe madje janë kthyer edhe aeroplanët në të cilët ata kanë qenë duke udhëtuar.

Një princ saudit kishte thënë në gjykatë se atij ia kishin injektuar një shiringë në qafë dhe ishte bartur pa vetëdije nga Gjeneva në Arabi Saudite. Pas disa vitesh ai arriti të ikte nga vendi, por u zhduk sërish dhe tash nuk ka ndonjë lajm për të prej asaj kohe.

“Ne e dimë që ata mund të vrasin, të ta shkatërrojnë familjen apo t’i përdorin ata kundër jush. Gjithmonë ka qenë kështu”, deklaroi një aktiviste saudite për të drejtat e grave, e cila aplikoi për azil politik në SHBA vitin e kaluar.

Jarba nuk ishte dezertues por ai mund të jetë kërkuar për shkak të lidhjeve të tij me një grup të familjes mbretërore që kishte dalë jashtë favoreve të udhëheqësisë saudite. Kështu të paktën thonë dy persona që kishin njohuri për rrethanat e këtij rrëmbimi. Ai ishte një mik i vjetër i princit Turki bin Abdullah, djalit të Mbretit Abdullah. Turki bin Abdullah u arrestua në nëntorin e kaluar, kur autoritetet saudite ndaluan qindra persona, përfshirë anëtarë të familjes mbretërore, udhëheqës biznesesh dhe zyrtarë qeveritarë, në një aksion që nga qeveria u cilësua si aksion kundër korrupsionit.

Rasti i parë i raportuar i rrëmbimit nga shteti saudit është ai i datës 22 dhjetor 1979, kur figura qendrore opozitare e vendit, Nasser al-Saeed, u zhduk nga Bejruti. Ai e kishte braktisur vendin pasi ishte burgosur për organizim të grevave të punëtorëve,transmeton gazeta express. Ai e vazhdoi kritikën e tij edhe në kohën sa ishte në ekzil dhe e vlerësonte marrjen nën kontroll të Xhamisë së Madhe në Mekë nga militantët në vitin 1979 si kryengritje popullore. Pasi ai ishte zhdukur, Arabia Saudite, e udhëhequr nga Mbreti Khalid bin Abdulaziz në atë kohë, deklaroi se raportimet se Saeed është rrëmbyer dhe kthyer në Arabi Saudite me aeroplan privat janë të pavërtetuara. Ata e patën quajtur Saeedin “të parëndësishëm”.

Njësoj si Khashoggi, i cili jetonte në Virgjinia, shumë disidentë e braktisin vendin dhe shkojnë sa më larg që munden, duke qenë të frikësuar se aleatët e Arabisë Sauditë mund t’i rikthejnë ata në atdhe, shkruan “The Washington Post.
Shtuar më 05/11/2018, ora 15:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori