Dhjetë vitet e Blerit në Nr.10
Albeu.com
Në prag të largimit ka ende nga ata që ia dëgjojnë fjalën, por edhe nga ata për të cilët Toni është person i urryer. Tony Blair ia beh në e ndërtesën numër 10 në "Downing Street", me çehren e njeriut që ka ndërmend të qëndrojë aty edhe dhjetë vite të tjera. Thotë se po i shijon javët e fundit në detyrë dhe se është "më në formë se kurrë".Kryeministri që tashmë është në prag të largimit nga posti, duket i mbushur me forcë, plot energji mendore e me një dëshirë thuajse konvulsive për t‘u treguar të gjithëve se nuk është aspak dakord me Nicolas Sarkozy. Pranë përvjetorit të dhjetë të transferimit në "Downing Street", që me saktësi është ditën e mërkurë, flet për dhjetëvjeçarin në të cilin ka përcaktuar politikën e jashtme britanike me një shpengim e sinqeritet të cilin nuk e kishte treguar kurrë gjatë mandatit, të paktën jo në fjalimet zyrtare.

I kërkoj të rendisë tri sukseset më të rëndësishme dhe tri dështimet më të rënda për sa i përket politikës së jashtme. Por nuk pranon. "Jo, këtë çështjen e sukseseve dhe të dështimeve, po ua lë juve", duke e pasur fjalën, me shumë gjasa, te historianët e gazetarët. Ndërkohë që pranon të flasë për atë çka e bën të ndihet krenar: që ia ka dalë me sukses të ndërtojë një strategji të politikës së jashtme britanike të përbërë nga ndërthurja e "pushteteve të buta e të ashpra" (hard and soft power), e mbi aleancat e forta si me Evropën, ashtu edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë qeverisjes së tij, Britania e Madhe ka pasur pjesë të rëndësishme në veprimet e "ashpra", siç mund të quhet lufta për të rrëzuar talebanët, hedhja poshtë e Sadamit, në Kosovë, si edhe në Sierra Leone. Të njëjtën gjë ka bërë edhe në rastin e forcës së butë, si lidhur me Afrikën e ndryshimet klimaterike, ndërkohë që mbetet protagonist në pjesën dërrmuese të temave të rëndësishme, qofshin këto Sudani, negociatat në tregtinë botërore apo Irani. Britania është një komb prej vetëm 60 banorësh të vendosur në "një hapësirë gjeografike relativisht të kufizuar", kështu që i duhet "ta tregojë peshën dhe ndikimin e saj përmes aleancave që arrin të krijojë".

Bëhet fjalë për një koncept të shprehur me zgjuarsi, por sigurisht jo i zënë në gojë për herë të parë nga ai. Është pak a shumë i të njëjtit mendim me thuajse të gjithë kryeministrat anglezë të 40 viteve të fundit. Cila është atëherë karakteristika e veçantë e këndvështrimit të Blair-it lidhur me politikën ndërkombëtare. Cili është thelbi i blerizmit? Përgjigjja që jep nuk mund të jetë më e qartë se aq: "Është interventizmi liberal". Blerizmi, shton, krijon një vizion progresit të botës, që niset nga realiteti i ndërvarësisë në epokën e globalizimit dhe vepron në varësi të disa vlerave të caktuara. "Jam interventist dhe ndihem krenar për këtë". Nuk do ta hidhte poshtë fjalimin e mbajtur në Çikago në vitin 1999, tezën liberale dhe interventiste të "doktrinës së komunitetit ndërkombëtar". Edhe pse është e vërtetë, siç mendoj personalisht, që administrata "Bush" po distancohet nga mbrojtja e demokratizimit si pikë e palëvizshme referimi në politikën e saj të jashtme, Blair nuk përfshihet në një prirje të tillë. "sidoqoftë, unë nuk veproj kështu".

Iraku nuk bën përjashtim. Pjesa dërrmuese e irakianëve të thjeshtë kërkojnë paqe e demokraci, por sabotohen në këtë përpjekje nga "agjentë të jashtëm", përveç një "minorance ekstremistësh të brendshëm". Nuk e ka makthin që se do t‘i duhet ta kalojë pjesën e mbetur të jetës duke iu përgjigjur pyetjeve që kanë të bëjnë me Irakun? Jo, e konsideron përsosmërisht logjik, por "kujtdo thotë se nga Iraku do të varet gjithçka... i përgjigjem: varet se si do të rrjedhin gjërat". Pra, do të ishte gabim të mendohej se Iraku do të ishte vendimtar në gjykimin mbi politikën e tij të jashtme? Jo, nuk ka asnjë dyshim se ishte "një dimension mjaft i rëndësishëm", por është shumë herët për hamendësuar mbi ndikimin përfundimtar. Do të jetë historia ajo që do t‘i japë përgjigje një pyetjeje të tillë.

Kaloj në dy aleanca. Pika e vetme e pandryshueshme në politikën e jashtme në programin elektoral të laburistëve në vitin 1997 ishte "t‘i japim Britanisë atë rol lidershipi në Evropë, për të cilin Britania e Madhe dhe Evropa kanë nevojë". E bëri? Epo, "Britania e Madhe ka qenë lideri i Evropës", thotë duke marrë poza disi mbrojtëse, megjithëse në sipërfaqe sjellja britanike mbetej euroskeptike". Një gjë e tillë në masën më të madhe i detyrohet mediave euroskeptike. Evropa është vendi ku, më shumë se kudo tjetër "mediat, madje edhe ato me sens pozitiv, më kërkojnë të bëj gjëra të cilat e di më së miri se janë krejtësisht marrëzi dhe që kushdo në rolin tim do t‘i konsideronte krejtësisht marrëzi".

Por, "kam një teori lidhur me këtë". Ajo që "britanikët kanë mjaft dëshirë dhe vullnet të mirë të kuptojnë që, edhe pse vetë ushqejnë paragjykime lidhur me Evropën, nuk mund të pretendojnë që edhe qeveria e tyre të mendojë apo të sillet në këtë mënyrë". Kështu, për shembull, me rastin e mbledhjes së Këshillit Evropian të 21, 22 qershorit (në të cilin ka ndërmend të marrë pjesë në cilësinë e Kryeministrit) shpreson të gjejë një gjuhë të përbashkët me gjithë liderët e tjerë për të negociuar një traktat që të kodifikojë modifikimet institucionale të nevojshme për të garantuar funksionimin e një Bashkimi Evropian të zgjeruar. Nuk bëhet fjalë për Kushtetutë, vetëm një amendament lidhur me traktatet ekzistente. Shtypi euroskeptik do të ngrejë supet, por kjo sidoqoftë do të jetë "vendimi i drejtë në interesin britanik".

Më pas, me një President të ri francez, një kancelar gjerman mik të afërt dhe një President të disponueshëm të Këshillit të Evropës, Britania mund të vazhdojë bashkë me partneret e saj të përballet me çështjet më të rëndësishme për funksionimin e Evropës. E pyes mos ndien ndonjë të therur në zemër që grupi i liderëve evropianë aq të ëndërruar nga Downing Street po del në skenë pikërisht tani që ai vetë është i detyruar të largohet prej saj? nis të qeshë përpara se unë ta kem përfunduar pyetjen, më pas thotë me një buzëqeshje ironike: "C‘est la vie". E marr si po.

Lidhur me aleancën tjetër me rëndësi jetike, e pyes se çfarë ka përfituar në vërtetë Britania e Madhe nga "raporti special" me Uashingtonin gjatë këtyre dhjetë viteve të fundit? Ku ka konsistuar avantazhi për ne? Në raportin në vetvete, është përgjigjja e tij dhe në ndikimin që luan në aspekte të tjera, siç janë negociatat në tregtinë botërore dhe procesi i paqes në Lindjen e Mesme. Të thuash "është çasti i një politike të jashtme të pavarur" është mënyra më e thjeshtë për të korrur duartrokitje, por mjafton të distancohesh paksa nga Shtetet e Bashkuara për ta parë të zvogëlohet influencën tënde.

Edhe duke pohuar se marrëdhëniet e Britanisë së Madhe me Amerikën e me Evropën janë më të qëndrueshme e të forta se dhjetë vite më parë, pranon se britanikët janë ende larg objektivit të tij ideal i të qenit "krejt komodë" në kuadrin e këtij raporti të dyfishtë. E djathta britanike nuk është më shumë e kënaqur me lidhjet me Evropën nga ç‘ishte në vitin 1997 dhe e majta është edhe më pak e kënaqur me ndryshimin krahasuar me atë kohë të raporteve me Shtetet e Bashkuara. Disa segmente të medias së sotme, shton, janë edhe euroskeptike, edhe antiamerikane: "Kush arrin t‘i kuptojë..."

Ndoshta ndryshimi më i madh i vënë re gjatë qëndrimit të tij në "Downing Street" konsiston në fuqizimin e konceptit të politikës globale mbi atë lokalen. "Politika e jashtme nuk është më politikë e jashtme". Dilema e një lideri kombëtar është që "vendi yt do që të përqendrohej në temat e brendshme, por e vërteta është se shpesh sfidat me të cilat duhet të përballet janë globale". Për shembull, është e rëndësishme marrja e masave të brendshme lidhur me ndryshimet klimaterike, por në të vërtetë, "qëllimi është ushtrimi i një force shtytëse mbi gjithë lidershipin ndërkombëtar". Kështu që nevojitet një qeveri më globale: duhen marrë masa qoftë për reformimin e OKB-së, si edhe për krijimin e aleancave të veprimit. Komuniteti i demokracive është një ide mjaft e mirë, por në terma politikë praktikë gjithçka pikënisjen e ka tek "aleanca evropiano-amerikane".

Janë të shumtë ata që në të gjithë botën dhe jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës çmojnë fjalët e Blerit dhe shumë nga veprat e tij. Të tjerë, në mënyrë të veçantë në radhët e së majtës britanike, i urrejnë me gjithë forcën. Por e vetmja kritikë e pabazuar është, të paktën për sa i përket politikës së jashtme, se blerizmi është pa përmbajtje. Në politikën e jashtme, Tony Blair është udhëhequr nga një ide, që mund t‘u pëlqejë apo jo të tjerëve, ndërkohë që ai di mirë edhe cila është.
Gazeta Shqip
Shtuar më 30/04/2007, ora 12:18
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori