Detaje të reja për vrasjen e gazetarit saudit
Vrasja e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, ka qenë “e paramenduar”, citohet të ketë thënë prokurori publik i Arabisë Saudite.

Provat për këtë erdhën nga një task-forcë e përbashkët e Arabisë Saudite dhe Turqisë, raportoi transmetuesi saudit al-Ekhbariya, duke cituar prokurorin.

Sipas burimit të njëjtë, prokurorët po marrin në pyetje disa të dyshuar.

Arabia Saudite fillimisht ka mohuar se ka dijeni për vendndodhjen e Khashoggit, i cili është parë për herë të fundit më 2 tetor, duke hyrë në konsullatën saudite në Stamboll.

Riadi më pas e ka pranuar se Khashoggi është vrarë në konsullatë, si pasojë e një operacioni të marrjes në pyetje, i cili “ka shkuar keq”.

Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, u zotua të mërkurën se do t’i ndëshkojë përgjegjësit, por disa media cituan burimet turke të sigurisë duke thënë se operacioni i marrjes në pyetje është drejtuar nga një ndihmës i lartë i princit.

Njoftimet e fundit nga Arabia Saudite pasojnë raportet e mediave amerikane se drejtorja e CIA-s, Gina Haspel, ka dëgjuar disa audio-incizime që besohet se dëshmojnë vrasjen e gazetarit.


Shtuar më 25/10/2018, ora 15:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori