Dëshira e Trumpit po dëmton miliona amerikanë
Mbyllja e pjesshme e qeverisë amerikane ka hyrë në ditën e gjashtëmbëdhjetë. Presidenti Trump ka thënë se ajo mund të zgjasë disa muaj ose edhe disa vjet, nëse nuk i dhurohen fondet për ndërtimin e murit në kufi me Meksikën. Bisedimet e para për këtë çështje nuk sollën rezultate, prandaj kjo gjendje pritet të shkaktojë dëme të mëdha.

Programi për Ndihma Ushqimore, përmes të cilit ofrohen ushqime për 38 milionë amerikanë me të ardhura të ulëta, do të goditet nga zvogëlimi i fondeve dhe do të mbetet pa to në fund të muajit mars. Rimbursimet nga taksat që kanë vlerën e milionave dollarëve gjithashtu mund të shtyhen. Është raportuar se agjentët e sigurisë nëpër aeroporte po deklarohen se janë të sëmurë pasi u detyruan të punojnë pa pagesë.

Presidenti Trump dikur thoshte se edhe Meksika do ta paguajë ndërtimin e murit. Sipas tij, një marrëveshje e re tregtare, e cila nuk është miratuar ende nga Kongresi, do të ofrojë kursime që do ta mundësojnë përmbushjen e premtimit. Sidoqoftë, kundërshtarët politikë dhe analistët dyshojnë se kjo gjë do të arrihet.


Shtuar më 06/01/2019, ora 16:24

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori