Irani dhe revolucioni i papërfunduar: Pse kriza nuk ka ndërmend të mbarojë

Nga Emmanuel Pietrobon “Il Giornale

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Fantazma e Ajatollah Khomeinit vazhdon ta përndjekë Lindjen e Mesme, duke kërcënuar të krijojë vatra të nxehta nga Mesopotamia në Levant. Regjimi është në krizë, me një shoqëri të trazuar dhe me segmente të pushtetit të populluara nga “kolonat e pesta”. Megjithatë nuk dorëzohet.

Sepse ka ëndrra të fshehura për të arritur: ndërtimin e të ashtuquajturit Bosht i Rezistencës, pra një korridori me në qendër Iranin që shtrihet nga Teherani në Tartus dhe anëtarësimin në klubin e fuqive të mëdha.

Por koha duket se po ecën kundër regjimit revolucionar, i dëmtuar nga vrasjet skandaloze, sanksione të ashpra dhe sabotazhe infrastrukturore. Gjithsesi ai është ende në këmbë. Mendërisht në vitin 1979, viti i revolucionit konservator, dhe me një “dhëmb” të helmuar

për Shekullin e poshtërimeve, që filloi me betejën e Heratit të vitit 1856 dhe përfundoi me Operacionin Ajaks në vitin 1953.

Irani i viteve të para të shekullit XXI ka qenë shumë i polarizuar, dhe kjo është pjesërisht një trashëgimi e Operacionit Ajaks, ku elitat liberale dhe të shekullarizuara të metropolit janë përballur me banorët konservatorë të zonave rurale.

Dhe do të jetë kjo shkallë e lartë e polarizimit social, dhe jo presionet që vijnë nga jashtë – konkurrenca midis fuqive të mëdha dhe lufta me antantën arabo-izraelite – ajo që do të përfaqësojë variablin e madh që duhet mbajtur nën mbikëqyrje për të kuptuar se cilat do të jetë e ardhmja e shprehjes së fundit perandorake të Persisë.

Kryengritja e madhe e elitave urbane dhe pakicave etnike në 3 muajt e fundit të vitit 2022, si rezultat i sjelljes brutale të policisë që shkaktoi vdekjen e gruas se re Mahsa Amini, është e destinuar që të lërë shenja të forta në imazhin dhe frymën e Revolucionit Khomeinist.

Nuk ishte hera e parë që studentët, biznesi urban, gratë dhe pakicat etnike kishin dalë në rrugët e qyteteve të mëdha për të kërkuar liri më të mëdha individuale, më shumë demokraci në sistemin politik dhe lehtësim të ligjeve të rrepta fetare. Por ishte hera e parë e protestave të tilla kaq të bujshme, shumë më të mëdha sesa Vala e Gjelbër e viteve 2009-2010, për sa i përket arrestimeve, mbulimit të mediave ndërkombëtare, kohëzgjatjes, të plagosurve, të vrarëve dhe përdhosjes së simboleve.

Pse në Iran nuk do të ketë për momentin një revolucion

Viti 1979 përkundrejt vitit 2022. Një ditë pas vdekjes së Mahsa Aminit, u përballën me njëri-tjetrin banorët dhe vizionet përkatëse të dy linjave hapësinore-kohore që e karakterizojnë atë, të shkuarën dhe të tashmen, që e bëjnë atë një situatë shumë më të ndezshme dhe jashtëzakonisht të rrezikshme.

Sepse përpjekjet e vazhdueshme gjeopolitike të emancipimit të Iranit, kanë krijuar gjithmonë kundër Kang-ut të momentit, dje rusët dhe britanikët dhe sot amerikanët dhe aleatët e tyre, të aftë për të lundruar midis linjave dhe për të manipuluar ngjarjet. Ajax Docet. Në vitin 2022, pavarësisht analizave dhe medias, që e konsideronte pothuajse të sigurt një ndryshim regjimi nga poshtë, linja e së shkuarës mbizotëroi mbi atë aktuale.

Pakicat dhe klasat urbane kanë humbur sepse nuk u ka ardhur ndihmë nga jashtë, dhe sidomos për shkak të indiferencës së Shteteve të Bashkuara – nxitur nga frika e krijimit të një vakuumi të paparashikueshëm dhe të pamenaxhueshëm të pushtetit – por edhe sepse Rusia dhe Kina kanë ofruar ekspertizë në fushën e kundër-kryengritjes, siç ndodhi tashmë gjatë Valës së Gjelbër dhe protestave të vitit 2011, dhe për shkak se pjesë konservatore e popullatës u mobilizuan masivisht për të mbrojtur rendin Khomeinist.

Duke kërkuar për një vend në botë

Revolucioni iranian është në fakt një punë e papërfunduar, një kantier ndërtimi në progres, sepse procesi i institucionalizimit të karizmës pas Khomeinit nuk arriti të impononte vlerat e 1979-ës dhe besimin shiit tek i gjithë kombi. Asnjëherë.

Linja e 1979-ës ka qenë viktimë e një morie sulmesh në rritje ng linja antirevolucionare, dhe është ekspozuar vazhdimisht ndaj një regjimi sanksionesh që ka pasur sukses kur ka frenuar ndjekjen e madhështisë ekonomike të Iranit, dhe një Luftë të Ftohtë e cila privoi piramidën nga pushtetit të gjeneralëve dhe intelektualëve, në sfondin e përpjekjeve të vazhdueshme të fuqive rivale për të përhapur vlerat armiqësore të Khomeinizmit në shoqërinë iranianë.

Në një situatë të tillë është e pamundur, ose më saktë shumë e vështirë, të konvertosh masat në besimin e etërve themelues. Sot ashtu si dje, në fakt më shumë sesa dje, Irani po lufton kundër vetvetes dhe kundër fuqive të mëdha që aspirojnë hegjemoninë mbi Lindjen e Mesme të Madhe dhe Azinë Qendrore dhje Jugore.

Teherani nuk ka kohë dhe burime të mjaftueshme për t’ia kushtuar nacionalizimit konservator të persianëve. Revolucioni po mbahet ende, por nuk mund të vazhdojë në drejtimet e dëshiruara. Fantazma e Khomeinit vazhdon që të frikësojë Izraelin dhe fuqitë vehabiste veçanërisht, por rërat e lëvizshme po i bllokojnë hapat e tij.

Regjimi revolucionar i rezistoi kryengritjes së vitit 2022, madje e shfrytëzoi për të spastruar segmentet e pushtetit politik, spiunazhit dhe drejtësisë. Por iluzioni se gjithçka është nën kontroll nuk mund të zgjasë shumë.

Nga kjo varet mbijetesa e Khomeinizmit gjatë shekullit XXI-të, që do të përjetojë një përkeqësim progresiv të konkurrencës midis fuqive të mëdha dhe rrjedhimisht, një rritje të ndjeshme të presioneve ndaj Iranit nga shumë drejtime. Nëse injorohet intoleranca ndaj pakicave etnike, nga kurdët tek azerët, ajo mund të shfrytëzohet një ditë nga mendjet e rafinuara për ta ballkanizuar vendin.

“Kolonat e pesta” (tradhtarët e regjimit) në institucione dhe siguri, mund të sjellin një ditë ndryshime sistematike nga brenda. Dhe shekullarizimi i lënë pas dore i brezit të ri, në rritje të vazhdueshme, mund të jetë një ditë shtysa për përmbysjen e revolucionarëve të 1979-ës, duke shënuar fundin e Revolucionit të Pafundmë dhe duke e riformuar jashtëzakonisht ekuilibrin e pushtetit mes blloqeve në skenën botërore. Ëndrrat shumëpolare të boshtit Moskë-Pekin janë (gjithashtu) të varura nga Irani. /albeu.com


Shtuar 30.01.2023 17:51