Osmani ministrit Di Maio: Perspektiva evropiane është orientim yni strategjik

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani sot gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të Italisë, Luigi Di Maio, diskutoi çështjet e bashkëpunimit dypalësh, si dhe procesin e integrimit të rajonit në BE.

Ajo tha se perspektiva evropiane është orientim strategjik i popullit të Kosovës.

“Ne kemi plane shumë ambicioze për zhvillim. Duam që pritjet e qytetarëve tanë t’i realizojmë me përpikëri, andaj kemi nevojë për thellim të partneritetit me miqtë tanë. Përcaktimi ynë për integrim në strukturat euroatlantikë mbetet synim jetik i popullit të Kosovës”, tha Osmani.

Ndërsa, ministri Di Maio tha se Italia përkrah institucionet e Kosovës në synimin e tyre për reforma, zhvillim ekonomik dhe krijim të perspektivës për të rinjtë e vendit.

“Investimi në teknologjitë e reja është një mënyrë për t’ua siguruar të ardhmen të rinjve të Kosovës”, tha ai.

Ai shprehu gatishmërinë e shtetit italian që të bashkëpunojë më institucionet e Kosovës për zhvillimin e programeve të veçanta në fushë të teknologjisë informative, sigurisë dhe agjendës evropiane. ​


Shtuar 11.02.2020 15:47