Del Ponte: Ja kush me braktisi
Albeu.com
Ne pozicionin e ri te ambasadores ne Argjentine, boton librin me kujtime nga periudha e Hages. Ish-prokurorja akuzon Bushin, OKB-ne dhe Vatikanin."Muri i gomës" i Vatikanit. Zhgënjimi që pësoi nga D‘Alema; indiferenca e Bushit dhe Kondoleca Rajsit; tërheqjet e Francës dhe Gjermanisë; dobësia e Kofi Ananit. 61-vjeçarja që sapo është emëruar ambasadore e Zvicrës në Argjentinë nuk i fal askujt mëshirë. Para se të mbërrinte në hemisferën tjetër të globit për detyrën e re, ka vendosur që të lerë si trashëgim të viteve të punës në Hagë një libër. Në të përmblidhet e gjithë përvoja në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi. Libri, i cili pritet të dalë në shtyp, është në bashkautorësi me studiuesit Chuck Sudetic, që i ka ndjekur me shumë vëmendje ngjarjet në Ballkanin e viteve ‘90 për gazetën "Neë York Times" . Titulli i librit nuk kishte si të ishte ndryshe: "Gjuetia", ndërsa nëntitulli: "Unë dhe kriminelët e luftës". Në 412 faqet e tij, Karla Del Ponte përshkruan tetë vitet gjatë të cilave iu vu pas kriminelëve të luftës në Ballkan, të asaj lufte që do të mbahet mend si parada e mizorive më të egra të kohëve moderne në Evropë, në Evropën që ndodhej në kapërcyell të shekullit e mijëvjeçarit, por që reagoi ndaj kësaj lufte sikur kalendari të shënonte mesjetën. Edhe pse nuk i pëlqen, ajo ia njeh vetes një humbje: "Nuk ia dola mbanë që të merrja mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar për arrestimin e Radko Mlladiçit dhe Radovan Karaxhiçit, dy kriminelëve që janë damkosur me krimet e rënda të Ballkanit". Humbjen e misionit të saj ajo nuk ngurron që ta lidhë edhe me mungesën e mbështetjes dhe përkrahjes që pati nga fuqitë e mëdha, kryesisht nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar, madje në disa raste ai, që jo vetëm nuk e mbështeti, por edhe e pengoi në detyrë. Por kjo është mosarritja e vetme që i njeh vetes. "Sigurisht që kam bërë gabime të vogla, por jo të mëdha, pra të përmasave të tilla që të shtrembëroja drejtësinë, apo të vërtetën. Ndoshta duhet të kisha qenë më agresive, më ‘e keqe‘. Por raporti i një prokurori me politikën është gjithmonë shumë i vështirë". Në intervistën e mëposhtme rrëfen për detyrën që sapo ka lënë, për librin dhe për ndjenjat e saj.

Ambasadore Karla, ju nuk e keni mbështetur vendimin e D‘Alemës për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit në BE me Serbinë, para se kjo të dorëzonte në Gjykatën e Hagës kriminelët e luftës dhe më konkretisht gjeneralin Mlladiç?

Jo. Sigurisht që nuk e kam çmuar një gjë të tillë. Veprimi i D‘Alemës ishte një zhgënjim shumë i madh për mua. Ishte ndër të parët që i bëri karshillëk gjykatës dhe të mendosh që Romano Prodi ndërkohë, që nga periudha që kishte detyrën e rëndësishme në Bruksel, ka treguar gjithmonë gatishmërinë maksimale dhe ndjeshmëri në lidhje me çështjen e arrestimit dhe daljes para drejtësisë së kriminelëve të luftës së Bosnjës.

Po, por D‘Alema dhe politikanë të tjerë e justifikuan vendimin e tyre me një frazë që vetë ju e keni shumë për zemër: "Nuk mund të dënohet e mbahet peng një popull për shkak të disa individëve"?

Fjalët tuaja janë të vërteta dhe unë sigurisht që jam e atij mendimi, por njëherazi mendoj se jemi shumë vonë në kapjen e kriminelëve të luftës. Kanë kaluar 14 vjet nga koha kur ata kryenin makabritetet në Ballkan. Nëse ka politikanë që gjykojnë se kapja e tyre nuk është e rëndësishme, se e shkuara duhet harruar e lënë pas dore, atëherë një gjë e tillë duhet shkruar edhe në letra dhe njerëzit duhet të marrin përgjegjësitë e tyre. Atëherë del se qëllimi i ngritjes së Gjykatës së Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi ishte thjesht një veprim për të vënë në vend ndërgjegjen e disave dhe jo për të çuar drejtësinë në vend.

Le të spostohemi disa kilometra larg Ministrisë së Jashtme italiane dhe të shkojmë në Vatikan. Ju keni rrëfyer në librin tuaj një episod me imzot Xhovani Lajolon, sekretar i Vatikanit për marrëdhëniet me jashtë, që praktikisht është ministri i Jashtëm i Selisë së Shenjtë.

Po është e vërtetë. Kisha shkuar për t‘i kërkuar mbështetje për arrestimin e gjeneralit kroat, Ante Gotovina. Sipas disa sinjalizimeve që kisha, ai ndodhej nën mbrojtjen e një manastiri, po në vend që të më ndihmonin në përpjekjen time, e pashë veten përballë një muri gome.

Vetë imzot Lajolo është shprehur se Vatikani nuk është shtet i fuqishëm dhe nuk mund të ushtronte presion ndaj Konferencës Episkopale Kroate.

Pikërisht. Por kjo bie në kontradiktë me nocionin që ne e mësojmë te librat e shkollës.

Dhe pas kësaj përgjigjeje ju kërkuat një takim me vetë Benediktin XVI.

Po dhe përgjigjja ishte se nëse dëshiroja vërtet që ta takoja, mund të shkoja e ta shihja vetëm nga dritarja, kur Papa del në sheshin e Shën Pjetrit, pasi Shenjtëria e tij pret vetëm presidentë dhe ministra. Por unë u informova se një ditë para se unë ta bëja kërkesën, Papa kishte pritur kreun e një partie të thjeshtë dhe nuk e kuptova kurrë se përse nuk u sforcua që të takonte, qoftë edhe për pak kohë, prokuroren e një gjykate krimesh lufte.

Në rast se do ta kishit takuar, çfarë kërkese do t‘i kishit bërë Benediktit XVI?

Do t‘i kisha kërkuar një ndërhyrje në Kroaci në rastin e Gotovinës. Janë shumë të njohura dhe nuk mund të fshihen lidhjet që ka Vatikani me Zagrebin që kur filloi shpërbërja e ish-Jugosllavisë, apo jo?

Le të shkojmë përtej oqeanit tani. Edhe ish-shefi i dikurshëm i CIA-s, Xhorxh Tenet, nuk ju ofroi asnjë lloj ndihme në misionin tuaj, apo jo?

Ai ishte simpatik si person, por rregullat e brendshme të Agjencisë ia ndalonin që të jepte çfarëdolloj bashkëpunimi. Megjithatë, një gjë është e vërtetë: CIA nuk më ofroi asnjë lloj ndihmë.

Ndërkohë që Kolin Pauell ishte më shumë bashkëpunues?

Po, por mos harroni se më pas ndryshoi disi edhe qëndrimi i amerikanëve. Pas 11 shtatorit ata u impenjuan në fronte të tjera. Gjithçka dukej shumë mirë në fillim, por më pas ata u përqendruan në të tjera zona të globit.

Është interesant edhe rasti kur ju u futët gati me zor në makinën e Sekretares amerikane të Shtetit, Kondoleca Rajs, në përfundim të një takimi.

Po, dhe kur unë i kërkova ndihmë, përgjigjja e Rajs ishte se problemi i saj kishte vetëm një emër dhe ai ishte: Bin Laden. Unë iu përgjigja që i imi quhej Mlladiç dhe Karaxhiç dhe i dhashë lamtumirën.

Kofi Anan, edhe ai nuk ishte për ndonjë ndihmë të madhe?

Në fakt ishte pikërisht Anan ai që më zgjodhi në detyrën e prokurores së Përgjithshme të krimeve të luftës në Gjykatën e Hagës dhe ai besonte fillimisht shumë te roli i gjykatës. Mendoj që në rast se nuk do t‘i ishte dobësuar pushteti për arsye të tjera, do të kishte vazhduar ta përkrahte projektin e gjykatës dhe përpjekjen time. E përsëris edhe njëherë se sulmi që iu bë Kullave binjake në Nju Jork ndërroi shumë politika dhe prioritete të shteteve më të fuqishme të botës, por edhe të organizmave ndërkombëtare.

Ju keni hapur dhe më pas rimbyllur edhe disa hetime që kishin të bënin me krimet e mundshme të kryera nga trupat e NATO-s gjatë bombardimeve në Serbi. Për këtë veprim morët edhe disa kritika.

Jo, nuk është e vërtetë, nuk kam pasur asnjë problem.

Ju shkruani se e përjetuat shumë keq vdekjen e Millosheviçit para se ai të merrte dënimin.

Po. Është e vërtetë. U inatosa sa nuk thuhet, sepse ishte një dosje për të cilën kishim punuar shumë, kishim bërë hetime për një kohë të gjatë dhe mbi të gjitha ishim të bindur për dënimin që do të ishte maksimali.

Nëse ndonjë ditë do të ndodheshit përballë Karaxhiçit, ose Mlladiçit, çfarë do t‘u kishit thënë?

Në lidhje me akuzat për krime nuk do të kisha pasur dyshime. Për ta ekzistojnë një mal me prova. Por do të isha kurioze t‘i pyesja se si ia kishin dalë që të qëndronin të fshehur për 14 vjet rresht, kush i kishte mbrojtur dhe nga cilët persona i merrnin instruksionet.

Keni qenë gjithnjë e më shumë e vendosur për arrestimin e Mlladiçit, se sa të Karaxhiçit.

Për arsyen e thjeshtë sepse gjithmonë e kam ditur, madje edhe tani e di se ku ndodhet. Ai është në Beograd. Nuk di t‘ju them se në cilën adresë, por ai është aty. Për sa i takon Karaxhiçit nuk kemi të dhëna të sakta.

Gjykata juaj është krahasuar me gjyqet e Nurembergut ndaj nazistëve në përfundim të Luftës së Dytë Botërore.

Dallimet janë të mëdha. Në Nuremberg provat ndodheshin në sallën e gjyqit, ndërsa në rastin tonë ato i kërkuam vetë një për një. (G. Shqip)
Shtuar më 15/02/2008, ora 16:23
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori