Vrasja në Shkodër, publikohet fotoja e viktimës Lulash Qepuri

Ky që shihni në këtë foto është Lulash Qepuri 76 vjeç, viktima e një atentati. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Stom Golem të Shkodrës mbrëmjen e së mërkurës. Nga burime pran grupit hetimor mësohet se 76 vjeçari ka qenë ulur në verandën e lokalit të tij fare pranë rrugës, kur një person i maskuar në këmbë ka qëlluar ndaj tij. Po të njëjtat burime bëjnë me dije se fillimisht atentatori ka qëlluar me armë zjarri pistoletë e cila ka bllokuar dhe më pas ka shtënë me armen tjetër tip “Skorpions”.

I biri i viktimës i ndodhur aty pranë ka marr armën e zjarrit tip “Shot Gun” dhe ka qëlluar ndaj atentatorit, i cili pasi ka qëlluar edhe disa herë në largim e sipër ka arritur të largohet me vrap nga i njëjti drejtim nga ka ardhur.

Mësohet se personi i maskuar ka ardhur në këmbë nga drejtimi i Shkodrës dhe më pas dyshohet se është larguar me një automjet i cili e priste pak metra më tutje. Ka qenë i biri i 76 vjeçarit që ka lajmëruar policinë për ngjarjen.

Ndërsa në vendin e ngjarjes grupi hetimor ka administruar si prova materjale 10 gëzhoja të armës shotgun, 16 gëzhoja të kalibrit 7.65 dhe armën e zjarrit “shotgun” të cilën i biri e mbante me leje. Gjithashtu janë sekuestruar edhe karat e sigurisë së biznesve të zonës.

I moshuari është dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës por nuk ka arritur ti mbijetoj plagëve të marra. Lulash Qepuri në 2011-en është arrestuar nga policia për veprat penale ” Kultivim dhe shitje e pa ligjshme të bimëve narkotike” dhe ” Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.

Nga grupi hetimor mësohet se nuk kanë një pistë të sigurt që mund të çoj në gjetjen dhe zbulimin e autorit të kësaj ngjarje. Ndërsa po merren në pyetje familjaret dhe të afërmit e viktimës rreth konflikteve që mund të ketë pasur. Ndërsa sipas grupit hetimor mësohet se shënjestër e atentatit të ketë qenë 76 vjeçari Lulash Qepuri i cili ishte invalid dhe lëvizte me një karrocë.