Cosa Nostra vetëm shtypi butonin: Fijet që lidhin vdekjen e Falcones me “Gladio-n”
27 vjet pas vrasjes së gjykatësit Giovanni Falcone, të dhëna të reja kanë dalë në sipërfaqe të cilat vënë në dukje një vrasje me sfond politiko-mafioz, në ndryshim nga ideja e krijuar deri më sot për një atentat që kishte të bënte kryesisht me hakmarrjen e Cosa Nostras dhe konkretisht klanit korleonez që drejtonte asokohe.

Në një dokumentar 2.35 orë të gjatë, gazetari Andrea Purgatori ka sjellë intervista dhe dëshmi, ka bërë një sintezë të plotë të asaj që ndodhi më 23 maj 1992, ku makina e Falcones u hodh në erë në autostradën A29 në afërsi të Capaci në Siçili.

Rindërtimi i ngjarjes lidhet me një periudhë që në Itali quhen vite të plumbëta, ose me atë që konsiderohet Mafia e Masakrave, nsiur nga strategjia e korleonezëve për të marrë kontrollin e Cosa Nostras përmes likujdimit fizik të kundërshtarëve dhe me aq sa ka dalë në sipërfaqe dhe dëshmohet edhe nga vrasja spektakolare e deputetit Salvo Lima, në bashkëpunim me segmente të pushtetit në Romë.

Në intervistën me zv. prokurorin e Antimafias, Antonino Di Matteo, dalin në pah elementë të rinj që e zgjerojnë kontekstin e këtij atentati, i pasuar me atë të Paolo Borsellinos 57 ditë më vonë në Palermo.

Kështu di Matteo thotë se në atentatin ndaj Falcones kanë marrë pjesë elemenë jashtë Cosa Nostras siçiliane, jo vetëm në ideimin e tij, por edhe në fazën operacionale.

Për këtë shkak vrasja e gjykatësit kalon nga konteksti i hakmarrjes së Totto Riinas dhe korleonezëve për shkak të Maksiprocesit që Falcone arriti të organizonte, te konteksti i një akti me qëllime parandalimi.

Falcone po bën më shumë dëme në Romë sesa në Palermo”, citon di Matteo Totto Riinan të jetë shprehur gjatë një mbledhjeje të Kupolës.

Ka edhe një aspekt konkluziv që evidentohet qartë dhe që është ai terrorist. Me masakrën e Capaci, Cosa Nostra nisi të zbatonte një politikë terrori, që synonte të krijonte raporte të reja me eksponentë të politikës, raporte të ndryshëm nga ato që kishin tradhëtuar tezat e Cosa Nostras dhe premtimet që kishin bërë…

“Vrasja e Salvo Limës ishte faza e parë e një strategjie politike që mafiozët e quanin krasitja e degëve të thara. Dhe duke përdorur gjithnjë fjalët e Riinës: ata mendonin se duhej bërë luftë që mandej të arrihej paqja.

Lufta dhe aktet e dhunshme do të çonin në panik popullsinë për të detyruar dikë nga Shteti që të negocionte me Mafine. Përmes kësaj tratative Riina mendonte të krijonte raporte më të qëndrueshme sesa ato të mëparëshmet”, shprehet zv. prokurori i Antimafias, di Matteo.

Dhe në fakt Riina pati sukses në parashikimin e tij. Pas masakrës pati njerëz nga politika italiane, institucionet e shtetit, që kërkuan të negocionin për të kuptuar se çfarë donte Riina.

Kreu i mafies vazhdoi masakrat për të gjunjëzuar përfundimisht shtetin italian. Një tjetër pistë që e bën më kompleks skenarin është urdhëri i Riinës për të tërhequr nga Roma një komando mafiozësh që do vrisnin me kallashnikov gjykatësin Falcone, për të kaluar drejt atentatit me eksploziv. Di Matteo shpjegon se ka gjasa që Riina të ketë marrë sigurimet e duhura për aktin dhe ndihmën operative nga njerëz jashtë Cosa Nostras.

“Vdiqën ata duhet të vdisnin, por nuk u provokuan pasoja ndaj të tjerëve që kalonin në autostradë. Një operacion kriminal i kryer në mënyrë perfekte.

Edhe dëshmitarët kanë pranuar në procesverbal menjëherë pas masakrës: kryheshin punime nga gjoja punëtorë përpara 23 majit në atë zonë ku Falcone do të hidhej në erë.

Të gjitha entet e disponueshme për të kryer punime kanë mohuar se kanë bërë diçka të tillë. E megjithatë ka dëshmitarë që zbulojnë prezencën e atyre që sigurisht nuk ishin mafiozë.

U gjet, jo larg nga vendi i shpërthimit, një dorezë nga e cila u izloua gjurma e ADN-së së një femre. Është e vështirë të mendohet se mafiozët të kenë marrë me vete një femër në Capaci”, shton di Matteo.

Kush e vrau Falconen? Sigurisht që mafia, korleonezët, por që nga pikëpamja teknike thjesht shtypën butonin. Dikush tjetër bëri gati infrastrukturën e atentatit më të bujshëm në Italinë e asaj kohe.

“Ka një deklaratë të Bruscas(i dyshuari dhe akuzuari kryesor si ekzekutori) që menjëherë pas kuptoi se makinat ishin hedhur në erë dhe atentati ia kishte dalë me sukses, nuk besonte që “katër injorantë” të kishin qenë në gjendje të kryenin atë lloj pune…

Ka ende në hetime që po zhvillohen për të kuptuar nëse bashkë me njerëzit e Mafias aty të kenë qenë edhe persona të tjerë që në padijeni të Cosa Nostras, kanë ndihmuar në realizimin e atij atentati teknikisht kaq të vështirë”, deklaron zv.prokurori.

Kunati i Falcones, Alfredo Morvillo ka bërë të ditur se kohët e fundit, pra pak para vdekjes, gjykatësi në fjalë po i kushtonte një vëmendje shumë të madhe çështjes Gladio dhe mbante me vete një listë të pjesëmarrësve të grupimit në fjalë që u shpërnda në 1990 nga Andreotti.

Gladio ishte një operacion i NATO-s, që përfshinte të gjitha vendet e Perëndimit që konsistonte në krijimin e bëthamave aktive të rezistencës në rast të një sulmi sovjetik.

Në Itali, operacioni në fjalë u dekonspirua me skandalin e llozhës sekrete P2, drejtuar nga Licio Gelli që sipas dyshimeve të shumta kishte marrë nën kontroll një operacion të NATO-s për ta shndërruar atë në një lloj shteti të nëndheshëm që përcaktonte karrierat dhe pushtetin në Itali.

Në këtë kuadër dhe për shkak se Partia Komuniste Italiane ishte shumë e fuqishme, aq sa rrezikonte me Aldo Moron të hynte në pushtet përmes një kompromisi historik, duket se qarqet që kontrollonin P2, nën koperturën legale të një operacioni të NATO-s kooptuan Cosa Nostran si krah të armatosur publik për të çuar përpara qëllime që përndryshe do të adresoheshin te njerëz të brendshëm të këtij grupimi.

Nga kjo premisë duhet rivlerësuar edhe propaganda e bërë për emfatizimin e rolit të Cosa Nostras në kuptimin se ajo mund të vendoste e vetme për gjëra që kërkonin tjetër lloj pushteti. Mafia ishte alibia më e mirë dhe në fund një viktimë e aksioneve të veta që mundtë bëhej koëk turku. Di Matteo referon me këtë rast një përgjim të Totto Riinës në vitin 2013 ku ish-bosi i Cosa Nostras tregon se pas masakrës ku mbeti i vrarë Falcone, i ishte kërkuar nga bashkëpunëtorët që të urdhëronte se çfarë duhet t’u thuhej shokëve mafiozë për atë që ndodhi?

“Ne duhet të rrimë urtë, pasi nëse merret vesh gjithçka, atëherë Cosa Nostra merr fund”, ishte përgjigja e Riinës.

Në dritën e kësaj dinamike merr tjetër vlerë edhe arratia e kreut aktual të asaj që mbetetet nga trashëgima e klanit të shpërbërë korleonez: Matteo Mesina Denaro.

Një person i dënuar nga shteti italian, por që është në dijeni të disa sekreteve që kanë forcën e shantazhit për segmente të këtij shteti. Di Matteo nënkupton se Denaro ka mbështetjen e dikujt në politikë dhe kjo merr kuptim nga rasti i arratisë së paprecedent të Bernardo Provenzanos.

“Nuk mund të konceptohet një arrati kaq e gjatë me aftësinë e fshehjes. Ekziston një rrjet mbulimi jashtë Mafies që vazhdon të mbajë në këmbë rrjetin e arratisë. Ja pse figura e mafiozit nuk duhet asnjëherë nëvlerësuar, vetëm edhe për këtë aspekt…”, përfundon Di Matteo.(Respublica)
Shtuar më 20/05/2019, ora 10:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori