Cili është sfiduesi i Gates?
Albeu.com
Për herë të parë, gjatë këtyre viteve të fundit, Bill Gates, miliarderi amerikan i softuerëve, mëson se në botë është dikush më i pasur se ai. Individi në fjalë, i cili arriti t‘i heqë nga duart spektrin e mbretit të më të pasurve të rruzullit, flet spanjisht dhe quhet Karlos Slim Helu.Kampioni i ri i pasanikëve është "magjistar" i telefonisë


Karlos Slim Helu ka punuar prej vitesh "nën rrogoz" dhe shpesh është akuzuar për favorizime nga ana e politikanëve


Njoftimi erdhi përmes sitit meksikan të specializuar në financë dhe ekonomi, Sentido Comùn, i cili siguron se për të arritur në këtë përfundim u është përmbajtur në mënyrë të përpiktë kritereve ku bazohet revista amerikane "Forbes" për përpilimin e listës së përvitshme të supermiliarderëve të globit: "Falë rritjes prej 26.5% të aksioneve ‘America Movil‘, regjistruar mes muajve prill, qershor, Slim, i cili kontrollon 33% të aseteve të kompanisë më të madhe të Amerikës Latine, sot është më i pasur se Bill Gates".

Nga ana e tij, edhe Gates ka parë të rritet me 5.7% vlerën e aksioneve të "Microsoft", duke e shtuar pasurinë në 59.2 miliardë dollarë (nga rreth 56 miliardë që i llogaritej në muajt e parë të këtij viti), gjë që, megjithatë, nuk ka mjaftuar për t‘i ruajtur vendin e parë në listën e më të pasurve të rruzullit. Vetëm tre muaj më parë, Karlos Slim u bë protagonist i një tjetër parakalimi në dëm të magjistarit të bursave, Warren Buffett. Rokada në vendin e dytë dhe të tretë u pasqyrua menjëherë nga "Forbes", e cila me shumë gjasa do të flasë për një tjetër ndërrim vendesh në kreun e listës për vitin 2007.

Karlos Slim Helu ka lindur më 28 janar të vitit 1940 në Meksiko. Babai, Yusef Salim (Julian Slim) Haddad dhe nëna, Linda Helu, ishin që të dy me origjinë nga Libani. Juliani hapi një dyqan veshjesh të quajtur "La Estrella del Oriente" (ylli i Orientit) dhe pak e nga pak nisi të blinte pasuri të patundshme në zonat pranë qendrës së qytetit të stërmadh meksikan. Juliani u martua me Lindën, vajzën e një tjetër libanezi të pasur, martesë nga e cila lindën edhe gjashtë fëmijë, ndër të cilët Karlos ishte i pesti. Hapat e parë në biznes Karlos i hodhi në firmën e të atit, drejtimin e së cilës e mori vetë në dorë pas vdekjes së tij. Meksikani me origjinë libaneze ka gjashtë fëmijë dhe banon në Meksiko.

Megjithëse njihet shumë pak në botë, Karlos Slim Helu arriti të fitonte plot 23 miliardë dollarë vetëm gjatë vitit 2006, duke iu afruar ndjeshëm që në atë periudhë Bill Gates. Më së shumti, në këtë ngjitje e ndihmoi vizioni që pati lidhur me impaktin që do të kishte interneti dhe kompjuterët në aktivitetin njerëzor e në biznes. Slim është prej kohësh një ndër individët pararojë të këtij revolucioni në metropolin gjigant të Meksikos, ku zotëron pjesën dërrmuese të kompanisë më të madhe të shërbimit të internetit, duke qenë njëkohësisht edhe shitësi më i madh i kompjuterëve në vend. Që kur mori nën kontroll kompaninë "Prodigy Inc." në gjysmën e vitit 1997, ai u kthye në ofruesin e tretë të shërbimeve të internetit (ISP) në Shtetet e Bashkuara. "Teknologjia do të transformojë rrënjësisht jetët e njerëzve dhe të shoqërisë kudo në botë", shprehet Slims.

Aktualisht, të ardhurat dhe zotërimet e tij janë rritur në të tilla përmasa falë zgjerimit dhe shtrirjes në fusha të tjera të perandorisë së tij: aktivitetet në fushën e shërbimeve të internetit e të telefonisë, pa lënë mënjanë shitjen me shumicë e pakicë të kompjuterëve, sigurimet bankare dhe prodhimin e pjesëve të këmbimit për makina.

Për herë të parë, në financat e larta, emri Karlos Slim Helu u dëgjua, ndërsa kryesonte një grup investitorësh, ku përfshihej "France Telecom" dhe "Southwestern Bell Corporation", gjatë blerjes se kompanisë telefonike shtetërore të Meksikës në vitin 1990. Pala shitëse ishte qeveria meksikane, ndërkohë që mendohet se Presidenti i atëhershëm, Karlos Salinas, luajti një rol shumë favorizues për grupin e investitorëve gjatë tratativave. Që atëherë, Helu u bë objekt kritikash të ashpra për prirjen e fortë drejt krijimit të monopoleve dhe metodave jo shumë të pastra e të ndershme për të mposhtur konkurrentët. Në fakt, ndërrimi i pronarit në "Telmex" u shoqërua me rritjen dramatike të çmimeve të shërbimeve telefonike dhe me një numër jashtëzakonisht të madh meksikanësh që ankoheshin për tarifat e reja dhe rënien e cilësisë së këtij shërbimi. Slim u akuzua vazhdimisht për përdorimin e lidhjeve të forta me politikën për të mbajtur në nivel shumë të lartë çmimet dhe vazhdimësinë e situatës monopol, në të cilën ra ky shërbim në atë kohë. Mungesa e një kompeticoni të vërtetë do të thoshte që konsumatorët duhet të paguanin shumë më tepër për këtë shërbim se vendet e tjera me më shumë se një kompani e që konkurronin vërtet me njëra-tjetrën. Në vitet që pasuan, presioni i vazhdueshëm i konsumatorëve bëri që tregu i shërbimit telefonik fiks të hapej edhe ndaj operatorëve të tjerë, megjithëse ende ruan tendenca shumë të forta monopolistike dhe i bën meksikanët të jenë ndër konsumatorët me një shërbim telefonik fiks më të shtrenjtë në botë. Në vitin 2006, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (Organization for Economic Cooperation and Development) me bazë në Paris, konfirmonte se meksikanët ishin ndër konsumatorët që paguanin më shumë në botë. Sipas të përditshmes "New York Times", sot nëntë nga dhjetë linja telefonike në Meksikë i përkasin kompanisë "Telmex". Ndërkohë që përafërsisht të njëjtat gjëra mund të thuhen edhe lidhur me "Telcel", telefonia celulare lider në Meksikë, e cila kontrollon thuajse 80% të telefonave celularë në vend.

Shumat stratosferike të fitimeve që rrodhën nga këto financime, i dhanë mundësinë meksikanit me origjinë libaneze të përhapej edhe përtej kufijve të vendit. Gjatë gjashtë viteve të fundit, "America Movil", kompania e kontrolluar prej tij, nuk ka reshtur as edhe vetëm për një çast së bleri kompani celulare anembanë Amerikës Latine, duke qenë tashmë edhe operatori që mbretëron krejtësisht në këtë fushë me më shumë se 100 milionë abonentë.

Sidoqoftë, pavarësisht metodave shumë të përfolura me të cilat ka arritur të bëhet një ndër njerëzit më të pasur në rruzull, Karlos Slim Helu konsiderohet si një ndër investuesit më të suksesshëm jo vetëm të Meksikës, por të të gjithë botës së financave të larta, aq sa në shtypin e huaj quhet shpesh edhe Warren Bufet i Amerikës Latine, ndërkohë që ai e sheh veten më shumë si administrator kompanish se magjistar i investimeve. Megjithëse vazhdon të jetë shumë aktiv në drejtimin e kompanive të shumta, menaxhimin e tyre të përditshëm miliarderi ua ka besuar tre djemve Karlosit, Mark Antonit dhe Patrikut. Gazeta Shqip
Shtuar më 07/07/2007, ora 08:57
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori