Carla Del Ponte trondit pushtetin në Serbi
Albeu.com
Pushteti në Serbi është duke u përpjekur më çdo kusht që të ndalë botimin e librit të Carla Del Pontes, ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, shtypja e të cilit tashmë ka filluar në Itali.
Në këtë libër, siç bën të ditur gazeta “Blic”, që thirret në burime të sigurta, Del Ponte zbulon planet për arrestimin e dy të shumëkërkuarve të Tribunalit të Hagës, Ratko Mlladiq dhe Ravodan Karaxhiq.

Pasi kanë siguruar dorëshkrimin, të cilin Del Ponte e ka mbajtur në fshehtësi, autoritetet në Beograd frikësohen se ish-prokurorja me botimin e librit do t’i “rrezikojë” përpjekjet e Beogradit për bashkëpunim me Tribunalin e Hagës, punën e ekipit veprues, si dhe, të shërbimeve sekrete serbe.

Del Ponte në librin e saj zbulon të gjitha ato që i kanë thënë asaj zyrtarët serbë dhe shefat e shërbimeve serbe gjatë takimeve zyrtare dhe jozyrtare që ka mbajtur me ta – sikur dhe se çfarë kanë ndërmarrë ata për arrestimin e të kërkuarve të Hagës, para se gjithash të Mlladiqit dhe Karaxhiqit.

Del Ponte, siç thonë këto burime, zbulon se kush janë mbështetësit e tyre. Në këtë libër, që për momentin është duke u shtypur në një shtypshkronjë në Itali, Del Ponte po ashtu zbulon detaje nga arrestimi i gjeneralit Zdravko Tolimir, ish shefit të gjeneralshtabit për siguri të Ushtrisë së Republikës Serbe, dhe njërit nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Mlladiqit. Del Ponte ka pohuar se ai megjithatë ishte arrestuar në Beograd dhe më pastaj ishte bartur në Republikën serbe të Bosnjës.

Në përpjekje për të ndalë botimin e detajeve, për të cilat dëshmon Del Ponte - përfshirë këtu edhe urdhrat konkrete që kanë marrë nga shefat e tyre si dhe metodat e punës - ekipi veprues i Serbisë i ka dërguar letër sekretarit të përgjithshëm të KB-së, Ban Ki-Moon, dhe presidentit e prokurorit të ri të Tribunalit të Hagës, duke kërkuar prej tyre që të shtyhet botimi i këtij libri për një “kohë të përshtatshme”, ka thënë ky burim – i cili thuhet ta ketë lexuar dorëshkrimin e Del Pontes.

Në letrën dërguar këtyre instancave, sipas burimeve të kësaj gazete, autoritetet e Beogradit kanë theksuar se është e papranueshme që t’i lejohet ish-kryeprokurores botimi i librit, vetëm dy muaj pasi ka kryer mandatin e saj, kur kihet parasysh se ajo ka pasur në dispozicion qindra mijëra dokumente të organeve shtetërore e ushtarake të Serbisë, që kanë siglën “Top-Secret”. (Telegrafi)
Shtuar më 08/03/2008, ora 14:58
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori