Bush e Putin kanë kërkuar nga Rajs dhe Lavrov që të merren me procesin e statusit të
Albeu.com
Në takimin e Presidentit amerikan Xhorxh Bush dhe atij rus, Vlladimir Putin, ndonëse Kosova ishte një nga çështjet për të cilën kanë shkëmbyer pikëpamje, në përfundim të takimit në Kenebankport nuk kanë komentuar asgjë rreth statusit të Kosovës në një konferencë të përbashkët shtypi. Këshilltari për siguri kombëtare i Bushit, Stivën Hedli, ka konfirmuar se dy presidentët kanë diskutuar për çështjen e Kosovës por nuk tha nëse është arritur ndonjë afrim i qëndrimeve. Ai tha se sekretarja Kondoliza Rajs dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, që ishin të pranishëm në Kenebankport, kanë diskutuar shumë gjatë për Kosovën. Hedli bëri të ditur se Bush dhe Putin kanë kërkuar nga Rajs dhe Lavrov që të përkujdesën për procesin e statusit të Kosovës. "Po, ata kanë diskutuar për Kosovën. Kjo është një çështje për të cilën më shumë kanë diskutuar sekretarja Rajs dhe ministri i Jashtëm Lavrov. Ka shumë ide, siç e dini, që po qarkullojnë dhe po bisedohen. Kjo është një çështje që po diskutohet në shumë forume. Ne (amerikanët dhe rusët) po e diskutojmë këtë në aspektin bilateral. Po ashtu edhe me aleatët tanë evropianë. Një diskutim për këtë po zhvillohet edhe në OKB", ka thënë Hedli në një konferencë shtypi, në oborrin e familjes Bush. "Ajo që thanë dy liderët ishte: shikoni, ne duam që sekretarja e Shtetit Rajs dhe ministri i Jashtëm Lavrov të mbikëqyrin dhe të vazhdojnë diskutimet për të parë nëse mund të gjejmë një zgjidhje", ka shtuar këshilltari për siguri kombëtare i presidentit.
Shtuar më 03/07/2007, ora 13:10
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori