Bullgaria i kërkon Shqipërisë njohjen e "minoritetit bullgar"
Përfaqësuesit e Bullgarisë në Parlamentin Europian duket se po përpiqen të fusin në axhendën e punimeve të drejtat e komunitetit bullgar që pretendojnë se jeton në Shqipëri, por që ekzistencën e të cilit Shqipëria nuk e pranon.

"Duhen përpjekje të mëtejshme për të mbrojtur të drejtat e minoriteteve në Shqipëri. Ka nevojë për rekomandime për të drejtat e etnisë bullgare që jeton në Prespë, Gollobordë dhe Gorë, rekomandime që duhen materializuar në ligje dhe në praktikë", thuhet në amendamentin e përfshirë në draftrezolutën e PE-së, e cila pritet të diskutohet më 14 shkurt me kërkesë të përfaqësuesve bullgarë, raporton "Balkan Insight".

Deputeti bullgar i PE, Andrey Kovachev, thotë se sipas të dhënave jozyrtare, janë rreth 50 000 – 100 000 njerëz që i përkasin etnisë bullgare jetojnë në Shqipërinë Lindore dhe se as qeveria dhe as opozita shqiptare nuk e kanë komentuar këtë iniciativë, ndërsa Ministria e Jashtme nuk i ka kthyer përgjigje agjencisë "BIRN" lidhur me këtë çështje.

Shqipëria njeh dy lloje minoritetesh: nacional-etnik që përfshin grek, maqedonasit dhe serbo-malazezët dhe atë kulturorlinguistik, dhe se etnia e pretenduar bullgare nuk hyn në asnjërën prej këtyre kategorive.

Shqipëria po përgatit draftin e një ligji të ri mbi minoritetet, ku më 7 janar, përfaqësues të tyre u mblodhën për të diskutuar iniciativën e re, ndërsa përfaqësuesit e etnisë bullgare, organizata "Prosperity Goloborda" nuk ishte pjesë e këtyre diskutimeve.

Presidenti i kësaj shoqate Haxhi Pirushi, ka thënë për "BIRN" se ky është gabimi i autoriteteve shqiptare, pasi ka shumë individë që kanë dyshtetësi dhe është koha që ky komunitet të njihet si një nga kategoritë që njeh shteti shqiptar.

Por Islam Rama, një mësues në Gollobordë, në kufi me Maqedoninë, ka publikuar një libër për kultrurën e kësaj zone, në vitin 2003, ku thotë se ekzistenca e komunitetit bullgar atje është thjesht fantazi.

"Për t'i rënë shkurt kësaj historie, në këtë zonë nuk ka një bullgar të vetëm. Kjo është një kauzë që po përdoret për përfitime personale", ka thënë Rama për "BIRN". /albeu.com
Shtuar më 09/02/2017, ora 11:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori