Bullgari, dyshohet bashkëpunëtor i vëllezërve Kouachi, pranga francezit
Një qytetar francez i cili dyshohet si bashkëpunëtor i vëllezërve Cherif dhe Said, të cilët vranë 12 persona gjatë sulmit terrorist ndaj revistës “Charlie Hebdo” në Paris, është arrestuar ditën e sotme në Bullgari.

Sipas deklaratave të zëdhënësit të Prokurorisë së Përgjithshme të Bullgarisë, ndaj 28-vjeçarit Fritz Jolie Joaquin ka pasur një urdhër-arresti në të gjithë Europën. Ndërkaq, kanë filluar procedurat për rikthimin e tij në Francë.

Joaquin së bashku me djalin e tij 3-vjeçar Abdel Rahman është arrestuar në pikën kufitare Kapitan Andreevo, përballë me pikën kufitare Kapikule, duke tentuar për të kaluar nga Bullgaria në Turqi.

Autoritetet e prokurorisë franceze kanë kërkuar ekstradimin e Joaquin me dy kërkesa të ndara. Kërkesa e parë për ekstradim është dërguar në prokurorinë Haskovo të Bullgarisë nga bashkëshortja e Joaquin për nxjerrjen jashtë kufirit të të birit pa lejen e saj.

Ndërsa kërkesa tjetër për ekstradim ka mbërritur në Bullgari nga prokuroria e Parisit më 12 janar, ku i dyshuari kërkohet për "komplot dhe planifikim i akteve terroriste".

Gjykata e rajonit Haskov ku mbahet edhe Fritz Jolie Joaquin, pritet të japë vendimin e saj më 16 janar në lidhje me procedurën e ekstradimit.
Shtuar më 13/01/2015, ora 11:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori