Qeveria gjermane paralajmëron Rusinë kundër masave hakmarrëse për mosmarrëveshjen e Kaliningradit

Qeveria gjermane ka paralajmëruar Rusinë që të mos marrë kundërmasa lidhur me mosmarrëveshjen e trafikut të mallrave në enklavën ruse të Kaliningradit.

“Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të mos marrë asnjë masë që shkel ligjin ndërkombëtar”, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit.

Ai tha se Lituania i kishte ndërmarrë këto veprime brenda kornizës së sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë. Vetëm disa mallra preken nga sanksionet dhe asnjë person nuk është sanksionuar.

“Prandaj ne refuzojmë qartë kundërmasat e shpallura nga Rusia”, tha Hebestreit gjatë një konference të planifikuar rregullisht për shtyp të qeverisë në Berlin.

Kujtojmë se Kremlini ka thënë se ndalimi i tranzitit nga Lituania për mallrat e sanksionuara nga Bashkimi Evropian drejt Rusisë përmes Kaliningradit është “i papranueshëm”.

“Ne jemi të bindur se sanksionet e miratuara nga BE-ja janë absolutisht të papranueshme. Zbatimi i këtyre sanksioneve në lidhje me tranzitin në Kaliningrad dhe mbrapa thjesht bie ndesh me marrëveshjet themelore”, tha të mërkurën zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, duke shtuar se masat hakmarrëse po diskutohen.

Peskov refuzoi të shtjellojë se çfarë mund të përfshijnë këto masa dhe tha se nuk kishte një afat kohor të saktë për përgjigjen e Moskës, por se ajo do t’i shpallë ato kur të jenë gati.

“Masat janë duke u përgatitur. Pasi të kemi peshuar me kujdes gjithçka, do të flasim për këtë”, tha ai./albeu.com