Bota ndodhet në krizën më të madhe humanitare që prej vitit 1945
Sekretari për Çështje Humanitare i Kombeve të Bashkuara, Stephen O'Brien, ka thënë se bota po përballet me krizën më të madhe humanitare që prej vitit 1945.

Ai i tha Këshillit të Sigurimit të OKB'së se "pa përpjekje të koordinuara nga e gjithë bota, njerëzit thjesht do të vdesin urie' dhe se "shumë të tjerë do të vuajnë apo vdesin nga sëmundje të ndryshme".

Sipas tij, 20 milionë njerëz në katër shtete të botës po përballen me uri dhe rrezik për përhapje të epidemive.

Ai kërkoi që OKB'ja të ndajë fonde të menjëhershme për krizën në shtetet si Jemeni, Sudani Jugor, Somalia dhe Nigerinë verilindore, shkruan "AP".

O'Brien shtoi se kriza më e madhe humanitare është në Jemen, ku dy të tretat e popullsisë, apo 18.8 milionë njerëz, kanë nevojë për ndihmë, kurse 7 milionë të tjerë nuk e dinë se si do ta sigurojnë shujtën e ardhshme të ushqimit.

Vetëm në Jemen, sipas Kombeve të Bashkuara, numri i njerëzve të uritur është rritur për tre milionë që prej muajit janar. /albeu.com/
Shtuar më 11/03/2017, ora 08:25

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori