Bosnja përkujton masakrën e Srebrenicës, varrosen edhe 127 viktima (FOTO LAJM)

Bosnja kujton 21-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, varrosen edhe 127 viktima
Mbi 10 mijë boshnjakë u mblodhën të hënën në memorialin e gjenocidit në fshatin Potoçari pranë Srebrenicës, për të përkujtuar viktimat e vrara nga forcat serbe të Bosnjës, pas rënies së “zonës së sigurt” të OKB ndaj forcave serbe të Bosnjës në korrik 1995.

Autobusë i sollën ata nga i gjithë vendi në përkujtimin e 21-vjetorit të masakrës së më shumë se 7000 burrave dhe djemve boshnjakë.

Do të vendosen lule dhe do të thuhen lutje myslimane për më shumë se 127 viktimat, eshtrat e të cilëve do të varrosen në vendin përkujtimor këtë vit.

Këshilli i Ministrave në Bosnje e ka shpallur 11 korrikun si ditë zie në të gjithë vendin dhe flamujt e institucioneve shtetërore do të ulen në gjysmë-shtizë.

Kryebashkiaku i Srebrenicës, Camil Durakoviç, dhe Theodor Meron, president i Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, që ka marrë përsipër punën e gjykatës së OKB për krimet e luftës në Hagë, do t’i drejtohet të ftuarve në një përkujtim të veçantë në memorial.

Përkujtimi i përvitshëm ka shkaktuar gjithashtu polemika, pasi komisioni organizues, i kryesuar nga Durakoviç, tha se udhëheqësit politikë serbë të cilët kanë mohuar se vrasjet masive ishin gjenocid, nuk do të ftohen të marrin pjesë.

Vitin e kaluar, përkujtimet e 20-vjetorit patën probleme kur kryeministri serb Aleksandër Vuçiç u sulmua me shishe dhe gurë nga pjesëmarrësit e zemëruar.

Serbia pranon se masakra e Srebrenicës ishte krim, por do ta përcaktojë atë si gjenocid, pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare.

Hajra Catiç, një e mbijetuar e gjenocidit, që u kthye të jetojë në Srebrenicë pas luftës, i tha BIRN se ajo shpresonte që përkujtimi të mbahej në mënyrë paqësore këtë vit.

“Sa herë që afrohet 11 korriku, ne e gjejmë veten përballë një vështirësie, kjo për shkak se rikujtojmë atë që çfarë ka ndodhur atë ditë. Është vështirë. Kthehesh në të shkuarën dhe kujton gjithçka që ka ndodhur – veçanërisht neve, nëna që nuk i kanë gjetur ende fëmijët,” tha Catiç.

Zëdhënësi i prokurorisë boshnjake, Boris Grubesiç tha se një hetim që synon identifikimin e sulmuesit të Vuçiç është ende i hapur.

“Hetimi është në vazhdim. Prokuroria speciale e [entitetit të mbizotëruar nga serbët e Bosnjës] Republika Srpska ka referuar te ne një rast kohët e fundit. Pasi çështjet të bashkohen, një analizë e detajuar do të bëhet. Pas kësaj, do të merret një vendim rreth aktiviteteve të ardhshme që do të bëhen me qëllim të marrjes së vendimit të prokurorisë në këtë rast”, tha Grubesiç. /birn/
Shtuar më 11/07/2016, ora 18:47

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori