Ne të vrarët, sot me viktimat!
nga Dionis Xhafa - Shqiptarët janë një komb që kanë përjetuar mbi shpinë terrorizime, vrasje, tortura e krime barbare mbi ta.

Nuk duhet të shkohet shumë vite përpara për ta ilustruar, pasi lufta e Kosovës është dëshmi e përjetimit të dhunës, terrorit, vrasjeve dhe masakrave nga ushtarët serbë.

Ne shqiptarët kemi qenë viktima të luftës, konflikteve, dhunës, deri tentativës për genocid, ndërsa sonte terrorin e përjetuan francezët.

Ishte një tjetër bombë. Një tjetër sulm terrorist. Në zemër të Evropës. Në qytetin e dashurisë, ku sa duket u vulos të luhet akti i dytë i tragjedisë në kryeqytetin francez.

Dhjetëra të vrarë, shumë të plagosur dhe një rrëmujë e vërtetë. Thonë se terrorizmi qëndron pas sulmit, por mund të jenë edhe njerëz të veçantë. Kjo ka disi rëndësi për atë se a njeh frikë terrorizmi, por duket se më rëndësi ka fakti se në Paris u vranë njerëz të pafajshëm për të dytën herë.

U godit zemra e Evropës, themelet dhe vlerat e saj. U godit paqja, u bë therror humanizmi.

Me sulmin e përgjakshëm në Paris u trondit e gjithë bota, e cila ndan parimet njerëzore kundër terrorizmit.

Ky sulm asesi nuk i godet vetëm francezët, pasi dhimbja për viktimat nuk njeh etni, racë e komb,por është universale dhe mund ta ndjej çdo qënie e gjallë në botë.

Në këtë kuptim, Parisi na ka goditur të gjithëve ne që ndajmë aspiratën për një botë më të mirë, më të paqtë, me fytyrë më njerëzore.

Ngjarja dëshmon edhe njëherë faktin e rëndë se terrorizmi është gjallë dhe se edhe pse më 2015, organizata të mirfillta terroriste të tilla si ISIS vijojnë të mendojnë se mund të veprosh duke vrarë.

Ajo ç'ka dëshiron bota është paqja universale, e cila sa duket është tepër e vështirë që të vijë.

"Bombat", konfliktet, armiqësitë, përplasjet mes fuqive dhe ideve kanë bërë një botë të zhurmshme, të errët, të vrazhdë, mbytur në krime e larg parimeve që kurrë nuk të afrojnë tek vrasja.

Presidenti Barack Obama, fill pas ngjarjes tha se sonte nuk u goditën vetëm francezët, por të gjithë ata që kanë ndër deje dëshirën për një botë pa krime.

Evropa sot ndihet e lëkundur dhe e tundur nga frika e terrorizmit.

Humanizmi evropian, ai që i pranon sirianët të cilët ikin nga lufta e tmerrshme në Siri, po merr goditje të rëndë.

Njerëz që vranë njerëz sikur të mos ishin qënie njerëzore, që presin e therrin pa ndjerë ndopak mëshirë, dhimbë.
Pak rëndësi se kush e kreu krimin.

Ai nuk mund të jetë asesi i përligjur. Njerëz të pafajshëm nuk janë më mes nesh dhe ndërgjegja jonë bën vetëm të peshojë rëndshëm për të tilla viktima.

U vra pafajësia, njeriu,, u shkallmua utopizmi për botë më të lirë, më të denjë për jetesë dhe më të drejtë.

Sonte nuk u goditën vetëm francezët, por mbarë njerëzimi.

U goditëm edhe ne, shqiptarët që jemi pjesë e këtij rruzulli dhe për më tepër kemi përjetuar mbi shpinë dhunën, terrorin, vrasjet. /Albeu.com/

Shtuar më 14/11/2015, ora 00:43

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori